Kapaklia stërvitet me grupin e parë, madje tekniku Cungu e projekton për krahun e djathtë të mbrojtjes në mungesë të Pjeshkës së skualifikuar me kartonë. Situata tek kuqeblutë duket se po shkon drejt normalizimit. Shenjat e para pozitive janë dhënë ditën e mërkurë kur në seancën stërvitore të zhvilluar pasdite në stadiumin “Reshit Rusi” me skuadrën është parë të bashkohet mesfushori Ambroz Kapaklia.
19-vjeçari, që konsiderohet pjesë e grupit të talenteve të ardhur nga Akademia Vllaznia këtë sezon futbollistik, falë përkujdesjes së stafit mjekësor ka lënë pas problemet e dëmtimit të marrë në përballjen me Partizanin, ndeshje kjo e luajtur të dielën e kaluar në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Dje ka qenë pjesëmarrja e tij e parë në procesin stërvitor të kuqebluve dhe menjëherë është vënë në dispozicion të trajnerit Cungu duke marrë të njëjtat ngarkesa ashtu si edhe pjesa tjetër e skuadrës.
Përfshirja e Kapaklisë me grupin e parë është pritur mjaft mirë nga skuadra, jo vetëm për paraqitjen mjaft të mirë, që përcolli deri në momentin që doli jashtë me barrelë, si rezultat i përplasjes fatale kokë më kokë me Vilën, por edhe për atë që prej së dielës, kur Pjeshka u ndëshkua me karton të kuq, emri i tij është lakuar shumë si një ndër alternativat më të mundshme për të luajtur në atë rol.
Mungesa e beratasit Arbri, që pak ditë më parë kreu ndërhyrjen kirurgjikale, por në të njëjtën kohë edhe situata ende e panormalizuar e Gurishtës, që vjen nga një dëmtim i rëndë, detyronte Cungun të kthente përsëri prapa Shtubinën për të luajtur në rolin e mbrojtësit të djathtë. Gjë që e ka provuar edhe në ndeshjet e mëparshme. Por, për kapitenin, skuadra ka nevojë më tepër në vijën e parë sulmuese, aty ku e ka edhe vendin e tij dhe që në fakt po e kryen përgjithësisht mirë.