Pas përfundimit të analizës 90-minutëshe me dyer të mbyllura dhe pa praninë e gazetarëve, skuadra është shfaqur në fushën stërvitore. Është kjo seanca e parë e plotë me skuadrën, që prej ndeshjes të së hënës me Laçin, ndërkohë që tjetër e tillë është zhvilluar edhe dje, por që pjesë e saj kanë qenë futbollistët që nuk janë aktivizuar farë, si dhe ato që kanë luajtur si zëvendësues gjatë lojës.
Që në momentin e parë, pasi janë njohur me programin e ditës, ndërkohë që grupi i parë është zhvendosur veçmas duke vijuar ushtrimet atletike fillimisht dhe më pas edhe të punës me topin nën drejtimin e ndihmëstrajnerit Aleksandër Maxhar, Florind Bardulla ka filluar vrapimet përreth fushës në mënyrë individuale. Siç është parë, edhe gjatë ndeshjes të së hënës, mesfushori ka pësuar një dëmtim të rëndë në minutën e 38-të duke u larguar me barelë nga fusha e lojës.
Ndërkohë, pak minuta më vonë, pas një bisede që zhvilloi kokë më kokë me trajnerin Cungu, grupit të parë i është shkëputur edhe mbrojtësi Ditmar Bicaj. Shtatlarti i qendrës së prapavijës është parë të futet në dhomat e zhveshjes ku, pasi ka ndërruar këpucët duke veshur ato atletike, i është bashkuar Bardullës në vrapimet përreth fushës në një stërvitje me program të diferencuar.