AlbanianSport.com 07/01/2021 23:10
ASNN – Ish-sulmuesi i Tiranës prezantohet tek Vllaznia, duke u ribashkuar me trajnerin Brdariç. Ka ardhur në verë tek Tirana, por nuk ka patur hapësirën e duhur dhe tanimë ka bërë zgjedhjen e tij, duke u zhvendosur tek Vllaznia. Për këtë arsye, Albion Avdiaj e cilëson ardhjen tek kuqeblutë si një fillim të ri, duke e cilësuar të mbyllur kapitullin me bardheblutë.
“Nuk kam çfarë të them më për atë që ka ndodhur, nuk më intereson më, – ka deklaruar 26-vjeçari. – E kam mbyllur atë kapitull e do të shoh përpara. Prandaj, për mua, Vllaznia është një fillim i vërtetë, edhe pse jam këtu prej 5 muajsh.” Ai e njeh trajnerin Tomas Brdariç dhe premton të japë maksimumin për fanellën e Vllaznisë. “Mesazhin tim duhet ta tregoj në fushë”, – ka thënë futbollisti i lindur në Zyrih të Zvicrës.
“Vllaznia është në vendin e parë, kam parë ekipin si luan, – ka vijuar ai. – Jam prej 2-3 muajsh në kontakte me Tomas e të gjithë, e kam pasur trajner te ekipi i dytë i Volfsburgut. Kam besim nuk kam çfarë flas më shumë e ta shoh në fushë.” Për Avdiajn, kryesuesja e renditjes premton për një arritje madhore këtë sezon. “Golat? Nuk ka premtim kurrë, duhet ta tregoj në fushë, – ka thënë ai. – Do ta shohim aty.”
“A është Vllaznia për titull? – ka deklaruar shtatlarti. – Po, kam besim, sepse e di se si punon profesori dhe kam pare ndeshjet e ekipit dhe shoh se janë ekip që duan të gjithë bashkë të arrijnë diçka.” Ai është prezantuar nga ana e drejtorit sportiv Matko Djarmati dhe trajneri Thomas Brdariç të cilët janë shprehur se ky lojtar me aftësitë e tij do të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit.
“E kemi filluar nga zero në verë dhe mendoj se u kemi treguar të gjithëve në qytet se me këtë përkushtim e përpjekje, skuadra është e përshtatshme, është konkurruese, – ka thënë trajneri gjerman i shkodranëve. – E dimë se çfarë duhet të bëjmë me Matkon e stafin teknik. Sigurisht edhe lojtarët, jemi një ekip dhe mendoj se jemi në një situatë se kur një lojtar do të ikë, duhet të afrojmë të tjerë dhe ata të jenë të përshtatshëm për ekipin.”
“Kështu u mor vendimi edhe për Albionin. Ai ka karakter, është një lojtra që njoh dhe vendimin e morëm bashkë. Duhet të tregojmë në transferime jo vetëm aftësinë e lojtarit, por edhe nëse është i përshtatshëm për ekipin dhe kjo është vendimtare”, – ka përfunduar trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç.