AlbanianSport.com 12/01/2024 17:00
ASNN – Ish-futbollisti i Vllaznisë: “Ta nisim 2024-ën siç e mbyllëm 2023-shin”. Ish-futbollisti, tashmë trajner i moshave tek Vllaznia, Amarildo Berisha, mendon se shkodranët duhet të bëjnë merkato racionale dhe të kujdesshme. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ai kërkon fitoren ndaj Kukësit, ndërsa shpreson që kuqeblutë ta nisin 2024-ën siç e mbyllën 2023-shin.
“Duke patur parasysh edhe sesi e mbylli vitin e shkuar, teksa në 3 ndeshjet e fundit korri fitore dhe mendoj se edhe ndërprerja e kampionatit erdhi pikërisht në kohën e duhur, sepse ndihmoi në rekuperimin e lojtarëve të dëmtuar, – ka thënë Belisha fillimisht. – Mendoj se për të gjithë ekipet kjo pauzë dimërore ka vlejtur, por besoj që Vllaznia do të vazhdoi në ritmin që e mbylli vitin e shkuar.”
“Për më tepër, vetë ecuria kundër Kukësit këtë sezon ka qenë pozitive, teksa ndeshjen e parë e fitoi me rezultat të pastër, ndërsa në atë të dytën e lëshoi fitoren vetëm në fund dhe prandaj besoj që Vllaznia nuk do të lëshojë pikë të dielën, madje do të marrë pikë maksimale”, – ka shtuar ai. Në vijim, ish-futbollisti ka bërë thirrje që klubi kuqeblu të bëjë një merkato racionale dhe të kujdesshme.
“Kemi dëgjuar disa emra, disa alternativa dhe madje një lojtar ka ardhur në provë për momentin, por, sidoqoftë, besoj që Vllaznia do të ketë prurje në këtë merkato, – ka thënë ai. – Por vërej që është racionale dhe nuk dëshiron të bëjë lëvizje të pastudiuara dhe besoj se një apo dy lëvizje që do të bëhen, do të jenë të menduara mirë dhe do të jenë ato që i duhen skuadrës”, – ka përfunduar ish-futbollisti, tashmë trajner i moshave tek Vllaznia, Amarildo Berisha.