Nga Gjergj Vyshka 07.08.2015 14:45
Deri më tani e sigurt është vetëm Luiza Gega, e cila prej kohësh e ka kapur normën në 800 dhe 1500 metra. Pretendohet edhe për Hoxhën në not e Koninin në qitje. Të tjerët? Për fat të keq duket se do të ngrohen në “diell”, sepse përveç problemeve të dopingut në peshëngritje, tashmë po ky doping është shfaqur dhe në boks. Për më tepër atëherë kur pritej që një i kualifikuar me normë për në Olimpiadë nga sporti i “dorezave” të ishte dhe Jurgen Uldedaj, ky i fundit tashmë i bashkangjitur profesionizmit. Shkurt që nga xhudo, çiklizmi, gjimnastika, taekuondoja, karateja, noti në njëfarë mënyre duhet të shpresojnë tek ftesa.
Pasi dhe në mundje për shkak të problemeve që ka pasur në zgjedhjen e presidentit, atje ku Federatës tashmë i është bllokuar buxheti, duket se kualifikimi bëhet i vështirë. Aq më tepër që edhe Egzon Shala nuk dha atë që pritej në Lojërat Olimpike Evropiane. Sigurisht që kohë për marrjen e normave të tjera ka. Por ama jemi të kënaqur me ftesën e pjesëmarrjes, por nuk e dimë se kush do të na përfaqësojë, ndërsa deri më tani sipas llogarive do të dalin në delegacionin shqiptar më tepër zyrtar se sa sportistë. Dhe kjo nuk është për faj të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, por të të gjithë strukturës sportive në vend.
Është e sigurt se do të përpiqen të sulen në muajt e fundit të garave kualifikuese, sikurse ka ndodhur më 2011-ën në kohën e Ministrisë së Aldo Bumçit, ndonëse Federatave u janë akorduar buxhetet që në janar për të marrë pjesë në këto aktivitete, për të plotësuar numrin e plotë të delegacionit shqiptar në “Rio de Zhaneiro 2016”. Shqipëria në Londër 2012 ka pasur 11 atletë, shtatë me normë dhe katër me ftesë. Kurse sot vetëm një është i kualifikuar një vit përpara këtyre Lojërave. Ndaj ftesën e kemi, por nuk e dimë se kush do të na përfaqësojë…