AlbanianSport.com 01/03/2019 23:55
ASNN – Tirana zhvillon një prej derbeve më të bukur të kryeqytetit të viteve të fundit ndaj Partizanit, por nuk ia doli as këtë herë të fitojë përballë të kuqve, sepse kryedueli i javës së 24-t u mbyll në barazim pa gola, 0-0. Luajtur në Stadiumin “Selman Stërmasi” të tejmbushur, derbi nuk i zhgënjeu afro 9 mijë të pranishmit, megjithëse mungesa e golit ishte e vetmja dobësi e një ndeshjeje që vinte “era” rivalitet dhe emocion. Spektakli në tribuna ishte një “kryevepër” më vete dhe praktikisht kësaj ndeshjeje nuk i mungoi asgjë për të qenë një derbi mes gjigantëve të futbollit shqiptar.
Ndeshja u dominua nga Tirana dhe ky është fakt, sidomos në pjesën e parë, ku Majkëll Ngoja mund të ishte shndërruar në heroin e mbrëmjes. Ai pati 3 raste të pastra shënimi, por në të 3 rastet duelin me të e fitoi portieri Alban Hoxha, që bëri pritje vendimtare. Spektakli i Tiranës në pjesën e parë, dëshmuar me lojë sulmuese dhe me raste të shumta të krijuara nuk kaluan pa sjellë shqetësim tek trajneri Skënder Gega, i cili në pjesën e dytë, i detyruar dhe nga dëmtimi i Hektor Idrizajt që la fushën i dëmtuar rëndë dhe u përcoll me ambulancë drejt spitalit, futi në fushë Kalarin.
Trajneri i të kuqve bëri ndryshime që fuqizuan lojën në aspektin taktik dhe i dha mundësinë skuadrës së tij që të kërkojë golin e fitores pas minutës së 60-të. Në fakt, loja u ndërpre për disa minuta në mesin e pjesës së dytë, për shkak të hedhjes së flakadanëve, por rifillimi i takimit nuk e zbehu forcën dhe vendosmërinë e skuadrave për të kërkuar trepikëshin në këtë duel. Partizani e rriti shumë lojën sulmuese në fund të takimit, por shtylla i erdhi në ndihmë Tiranës pas goditjes së Telushit. Madje vlonjati pati dhe një rast të mirë me kokë në minutat e fundit, por fati qe me Tiranën këtë herë.
Si përfundim, edhe pse u zhvillua një ndeshje e madhe, me shumë spektakël dhe angazhim, rezultati nuk ndryshoi. Kjo sfidë nisi e përfundoi barazim 0-0, duke bërë që mallkimi i Tiranës në duelet derbi të vijojë, pasi u mbushën 5 vjet pa fitore dhe Partizani vijon të jetë i pamposhtur edhe pas 16 ndeshjesh ndaj bardhebluve. Derbi numër 152 përfundoi në barazim pa gola, por ndryshe nga herët e tjera, në këtë duel Tirana ishte dominuese e qartë, me 4 goditje në kuadrat kundrejt 1 të Partizanit, me 6 goditje në drejtim të portës kundrejt 3 të Partizanit.
Bardheblutë kishin edhe dominimin e topit në masën 55% kundrejt 45% të Partizanit, me 60% ndërtim aksionesh kundrejt 40% të Partizanit dhe i vetmi tregues ku dominuan të kuqtë ishin goditjet e këndit 6-3. Pas kësaj ndeshjeje, Partizani dhe trajneri Skënder Gega kanë arsye të buzëqeshin, pasi morën një pikë që vlen si fitore, sepse morali nuk bie, megjithëse frenimi që i bëri Tirana i jep një shans Kukësit të afrohet e që mund ta rihapë garën për titull. Me pikën e marrë sot, Partizani shkon në 50 pikë, në vend të parë padiskutim.
Kurse Tirana mori një pikë dhe shkon në kuotën e 29 pikëve, e mbetet po në vend të shtatë, 4 pikë larg Skënderbeut dhe Teutës që do të kenë një duel së bashku këtë të shtunë.
Kategoria Superiore
Java e 24-t
Të premten, 1 mars 2019:
Tirana – Partizani 0-0
Të shtunën, 2 mars 2019:
Kukësi – Luftëtari (14:00)
Teuta – Skënderbeu (17:00)
Të dielën, 3 mars 2019:
Kamza – Laçi (14:00)
Flamurtari – Kastrioti (17:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Partizani 24 15 5 4 26-11 50
- Kukësi 23 12 5 6 24-15 41
- Teuta 23 10 9 4 28-17 39
- Laçi 23 9 8 6 19-18 35
- Skënderbeu 23 10 3 10 24-21 33
- Flamurtari 23 9 6 8 20-18 33
- Tirana 24 7 8 9 28-25 29
- Luftëtari 23 7 4 12 20-27 25
- Kastrioti 23 6 2 15 20-40 20
- Kamza 23 4 4 15 12-29 16