AlbanianSport.com 02/02/2024 20:15
ASNN – Skiatorja italiane që ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë, fitoi të premten medaljen e bronztë në garën e sllallomit gjigand, në Botërorin e kësaj grupmoshe, që po zhvillohet Port Du Soleil të Francës. Kolturi bëri një paraqitje mjaft të mirë, duke i dhuruar Shqipërisë një tjetër medalje botërore, pas atyre të një vit më parë, po në kategorinë e të rejave.
“Jam e kënaqur me atë që kam bërë, veçanërisht në Kupën e Botës, sidomos pas një dëmtimi që pata pësuar më herë, të cilin e kapërceva dhe u ktheva në pistë, – ka thënë ajo, duke folur pas garës. – Prandaj jam e lumtur me atë që dhashë në këtë Botëror të Të Rinjve. – Po, kam bërë disa gabime, por podiumi është i rëndësishëm, sidomos në këtë nivel.”
Pas dy zbritjeve, skiatorja kuqezi dha kohën e përgjithshme prej 2 minutash, 3 sekondash e 14 të qindtash. Pas zbritjes së parë ajo ishte e 3-ta, me kohën 59 sekonda e 91 të qindtat, pozicion që e ruajti edhe pas zbritjes së dytë, ku dha kohën 1 minutë, 3 sekonda dhe 12 të qindtat. Kolturi shpresonte të kapte medaljen e artë në këtë garë, pas paraqitjeve të mira në Kupën e Botës.
Por edhe vendi i 3-të është një rezultat shumë i mirë për skiatoren 17-vjeçare, që ngre sërish lart flamurin kuqezi. Aventura e Lara Kolturit në këtë Botëror do të vijojë edhe ditën e shtunë, me garën e sllallomit, ku sërish skiatorja kuqezi do të synojë podiumin dhe një tjetër medalje, pse jo, të artën.