AlbanianSport.com 15/10/2018 18:55
ASNN – Goli i Izraelit kundër Shqipërisë bëhet “hit” në internet, ndodh shumë rrallë. Një gafë në rreshtimin e mbrojtjes dhe një përgjumje e mbrojtësve të Shqipërisë, bëri që Izraeli të shënojë një gol të rrallë në futboll. Të gjithë ishin të ndërgjegjshëm se një gol i tillë është i rrallë për faktin se mbrojtësit zakonisht nuk u japin liri sulmuesve kundërshtare të shkojnë aq lehtësisht drejt portës pas rivënies fundore, siç ndodhi në rastin e kombinimit Harush-Hemed tek goli i parë i Izraelit.
Mediat e mëdha sportive europiane dhe më gjerë, sidomos ato greke dhe franceze, i kanë kushtuar rëndësi këtij goli, sepse ndodh rrallë që portieri të japë pasi goli për sulmuesin në skajin tjetër dhe që ky aksion të konkretizohet. Në rastin e ndeshjes së së luajtur në Biir Sheva, lojtari ishte në pozicion jashtë loje, por kjo nuk vlen, sepse në rregullore kur pasimi jepet nga rivënia fundore, atëherë pozicioni, rrjedhimisht edhe goli, janë të rregullt.
Ndoshta ngaqë shënohet rrallë si gol, pikërisht për këtë mediat e kishin vënë si lajm interesant, në mënyrë që të marrë sa më shumë klikime. Padyshim kjo është meritë e Izraelit që e shënoi, por edhe përgjumje e tanëve që e pësuan. Në fakt, ky ishte një gol i ngjashëm me atë të shënuar në Botërorin e 2010-ës në Afrikë të Jugut, kur Miroslav Klose mori një pasim nga Nojeri dhe brenda 6 sekondash, aq sa iu desh topit të përshkonte fushën, përshëndeti rrjetën e Anglisë, duke e kaluar Gjermaninë në epërsi.