AlbanianSport.com 27/05/2020 20:55
ASNN – Ka vonuar pak, për shkak të epidemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19, por më në fund, futbolli i madh do të rikthehet së shpejti në ekranin e RTSH Sport. Gjermania ka qenë padyshim lokomotiva e rikthimit të futbollit në kontinentin e vjetër dhe një nga veprimtaritë më madhore të saj, siç është Kupa e Gjermanisë, do të rikthehet në ekranin publik në 10-ditëshin e parë të qershorit, me dy sfidat e saj gjysmëfinale.
Është Federata Gjermane e Futbollit (DFB), që ka zyrtarizuar edhe kalendarin e dy përballjeve për një vend në finalen e madhe të këtij trofeu prestigjioz. Përballja e parë, ajo midis të papriturës së këndshme, Sa’arbrykenit. dhe Bajer Leverkusenit do të luhet në mbrëmjen e 9 qershorit 2020, duke nisur nga ora 20:45. Një ditë më pas do të zbresin në fushën e blertë të Stadiumit “Allianz Arena” për t’u ndeshur me njëra-tjetrën Bajerni i Mynihut dhe Eintrahtit të Frankfurtit, ndeshje që zhvillohet në të njëjtin orar.
Ndërkaq, 4 korriku është zgjedhur si data e finales së madhe, e cila, si zakonisht, do të luhet në “Olimpiastadion” të Berlinit. Sikundër të gjitha duelet e deritanishme të këtij sezoni të Kupës së Gjermanisë, edhe këto 3 ndeshje të fundit do të transmetohen drejtpërdrejt në RTSH Sport. Sa’arbrykeni dhe Bajerni i Mynihut siguruan në ditët e para të marsit vendin midis 4 më të mirave të veprimtarisë së dytë të futbollit gjerman, pasi ngadhënjyen përkatësisht ndaj Fortunës së Dyseldorfit dhe Shalke 04-ës.
Ndërkaq, pas tyre, biletën për në gjysmëfinale e pati siguruar edhe Bajer Leverkuseni, pasi mundi 3-1 Unionin e Berlinit, por dhe Eintrahti i Frankfurtit, që ka mundur Verder Bremenin me nga një gol për secilën pjesë loje.