AlbanianSport.com 31/03/2018 15:15
ASNN – “Në 98 % të rasteve, dopingu është një fenomen që ndodh duke patur si pikënisje përmirësimin e rezultateve sportive dhe vetëm në 2 % është aksidental”. I këtij mendimi është peshëngritësi Marsild Xhemollari, i cili është diplomuar edhe në shkencat mjekësore, në degën “farmaci”.
Marsild Xhemollari është një i ri i dyzuar midis sportit të peshëngritjes dhe farmaceutikës. Dhe, si njohës i të dy rrafsheve, ai ka një mendim të qartë për çështjen e dopingut, që e ka goditur rëndë shtangën shqiptare. Për 24-vjeçarin, niveli i ndërgjegjësimit të sportit shqiptar mbi dopingun lë shumë për të dëshiruar.
Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, Xhemollari thekson se rrugëdalja nga kriza e dopingut është bashkëpunimi i të gjithë hallkave. Pas Romela Begajt në janar, edhe sportistja tjetër, Evangjeli Veli, rezultoi pozitive në testet anti-doping gjatë marsit.