AlbanianSport.com 26/11/2017 07:35
ASNN – Ka qenë dy javë të ngjeshura këto të fundit për volejbollisten shqiptare, Sindi Marina, pasi pasuesja e Kombëtares kuqezi të volejbollit për femra ka luajtur 5 sfida me skuadrën e universitetit të saj, asaj të Kalifornisë Jugore. Gjithçka ka nisur më 9 nëntor 2017, me sfidën ndaj Jutas, të cilën e mposhtën në 4 sete (25-21, 25-17, 18-25, 25-22), në atë që ishte fitorja e 4-t radhazi për skuadrën e shqiptaro-amerikanes. Marina dha 15 pasime të sakta për pikë, priti 7 topa dhe shënoi edhe 3 pikë nga shërbimi.
Dy ditë më pas, skuadra e 19-vjeçares vijoi të korrte fitoren e 5-të, duke triumfuar në një betejë 5 setesh me Koloradon (20-25, 25-17, 27-29, 25-11, 15-11) dhe duke u hakmarrë për humbjen 0-3 në ndeshjen e parë. Sindi Marina dha 23 pasime të sakta për pikë, priti 5 topa dhe shënoi 3 nga 9 pikët direkt nga shërbimi që skuadra e saj realizoi gjithsej. Më 15 nëntor, Universiteti i Kalifornisë Jugore pësoi humbjen e parë, pas 5 rezultatesh pozitive.
Ajo është mundur në 3 sete (16-25, 12-25, 14-25) përballë Stenfordit, në një ndeshje ku pasuesja kuqezi dha 14 pasime të sakta për pikë dhe priti 4 topa. Dy ditë më pas, ekipi i Kalifornisë së Jugut fitoi derbin me rivalet e Kalifornia “Golden Bears”, duke triumfuar në 3 sete (25-18, 25-14, 25-22), ndërsa Marina, e cila dha 14 pasime të sakta për pikë dhe priti 4 topa, fitoi edhe derbin shqiptar ndaj bashkëatdhetares së saj, volejbollistes së talentuar Anxhela Dhëmbi.
Dyjavëshi intensiv i Marinës dhe skuadrës së saj u mbyll më 22 nëntor 2017, me fitoren në 4 sete (25-19, 25-16, 19-25, 25-17) në fushën e Oregonit, ku shqiptaro-amerikania dha 16 pasime të sakta për pikë dhe priti 6 topa. Një fitore të shtunën ndaj rivales bashkëqytetase, Los Anxhelosit, do ta konfirmojë skuadrën e 19-vjeçares në vendin e dytë të renditjes së kampionatit të saj.