AlbanianSport.com 26/11/2017 12:35
ASNN – Ka qenë një gjysmësezon i parë mbresëlënës ai i volejbollistit shqiptar, Redi Koçi, me skuadrën e tij të Leka Volejit, në parketin nordik. Aktualisht, skuadra e tij renditet e 5-ta, me 21 pikë dhe është në rrugë të mbarë për pjesëmarrjen në “play-off”-in final për titullin kampion. Përtej kësaj, shqiptari është i pari në listën e shuterëve në kampionatin finlandez, ndërkohë që ka realizuar 180 pikë në 12 ndeshje, me një mesatare prej 15 pikësh për ndeshje.
7 fitore dhe 5 humbje në këto 12 javët e para, një vend i 5-të, me skuadrën e tij në nivelin më të lartë të kampionatit finlandez të volejbollit për meshkuj, por edhe një paraqitje personale që vijon të mbetet në parametra optimalë. Kjo është me pak fjalë përmbledhja e këtij gjysmësezoni të parë të volejbollistit shqiptar, Redi Koçi, me skuadrën e tij të Leka Volejit, në parketin nordik. Ish-volejbollisti i Farka Volejit, që u zhvendos gjatë verës në kampionatin finlandez, ka qenë vendimtar në ecurinë e skuadrës së tij, sikundër e dëshmoi edhe në dy ndeshjet e fundit.
Koçi shënoi 20 pikë, po aq sa shoku i tij i skuadrës dhe pikëshënuesi më i mirë i kampionatit, Kaislasalo, në fitoren 3-1 (25/21, 23/25, 25/19, 25/15) që Leka Voleji korri në fushën e vet ndaj Vanta’a Daks. Pjesë e kësaj të fundit është edhe ish-volejbollisti tjetër i Farka Volejit, Amarildo Deliu, i cili në këtë takim nuk u aktivizua, duke mos konkretizuar dot kështu të dytin derbi shqiptar në parketin nordik, pasi atij të 10-ditëshit të fundit të tetorit, ku skuadra e Koçit pati fituar 3-2.
Ndërkohë, një ditë më pas, pavarsisht se shënoi edhe 17 pikë të tjera, sportisti 2 m e 3 cm i lartë nuk arriti ta shmangte humbjen e skuadrës së tij, Leka Volejit, në fushën e Sampo Volejit, me shifrat 1-3. Aktualisht, skuadra e tij renditet e 5-ta, me 21 pikë dhe është në rrugë të mbarë për pjesëmarrjen në “play-off”-in final për titullin “kampion”. Përtej kësaj, shqiptari është i pari në listën e shuterëve të pastër në kampionatin finlandez, ndërkohë që ka realizuar 180 pikë në 12 ndeshje, me një mesatare prej 15 pikësh për ndeshje. Përveç kësaj, për të disatën javë radhazi, Redi Koçi është përzgjedhur në formacionin e javës, duke konfirmuar kështu edhe një herë potencialin e tij si një volejbollist i një kalibri të lartë.