AlbanianSport.com 13.01.2017 07:55
ASNN – Për të dytin vit radhazi, Shqipëria do të marrë pjesë në Ligën e Evropës në volejboll për femra dhe meshkuj. Shorti i kësaj faze është hedhur dje në Luksemburg, ndërsa Shqipëria do të jetë organizatore e dyfishtë e fazës eliminatore të Ligës së Evropës në volejboll për femra dhe meshkuj. Ky ka qenë verdikti i shortit, i cili është hedhur në Luksemburg.
Për meshkuj janë 12 ekipe, kurse për femra 7 dhe është një shpërblim prej 150 mijë eurosh gjithsej, që është në dispozicion të skuadrave që do të marrin pjesë në Ligën e Evropës më 2017-ën. Për meshkuj Shqipëria do të jetë në grupin A dhe përballë do të ketë Maqedoninë dhe Suedinë. Faza e parë i këtij grupi do të zhvillohet në Maqedoni, por data ende është e pacaktuar.
Kurse faza e dytë është nga data 23, deri më 25 qershor 2017 në Shqipëri. Ndërkohë grupi B, atje ku janë Danimarka, Ukraina, Hungaria dhe Izraeli, do të luajnë në Ukrainë, përsëri datë e pacaktuar, dhe në Hungari nga data 16, deri më 18 qershor. Kualifikohen dy të parat e grupeve, që fazën finale do ta luajnë më 1 dhe 2 korrik 2017 në Danimarkë.
Ndërkohë për femra Shqipëria është në grupin A, teksa do të ketë përballë Bjellorusinë, Finlandën e Austrinë. Ndeshjet e këtij grupi do të luhen nga data 9, deri më 11 qershor 2017 në Shqipëri dhe nga data 16, deri më 18 qershor 2017 në Bjellorusi. Ndërkohë në grupin B, janë Franca, Ukraina, Mali i Zi dhe Gjeorgjia, kurse në Grupin C janë Sllovakia, Spanja, Portugalia dhe Suedia.