AlbanianSport.com 20/12/2017 12:55
ASNN – Rreshtimi midis 8 më të mirave të volejbollit të kolegjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është padyshim një sukses për Universitetin e Kalifornisë Jugore (USC), por edhe për sportisten shqiptare, Sindi Marina, e cila e mbyll 2017-ën me statistika mbresëlënëse. Forma e saj është një ogur i mirë edhe për Kombëtaren kuqezi të femrave, që ka përpara në 2018-ën një vit të ngjeshur me veprimtari në parketin ndërkombëtar.
Është mbyllur në finalen rajonale, apo thënë ndryshe në çerekfinalet kombëtare aventura e volejbollistes kuqezi, Sindi Marina, e cila militon në kampionatin amerikan të volejbollit të kolegjeve me skuadrën e Universitetit të Kalifornisë Jugore. Pas një sezoni të suksesshëm në Konferencën e Paqësorit, skuadra e pasueses shqiptaro-amerikane të Kombëtares është kualifikuar për në turin e 64-shes, apo turin e parë të Divizionit të Parë të Kampionatit Amerikan të Volejbollit të Kolegjeve.
Skuadra e Marinës ka triumfuar në 4 sete ndaj ekipit të Arkansasit Qendror, më 1 dhjetor 2017, ndërsa ajo dha 26 pasime për pikë, si dhe shënoi 4 pikë direkt nga shërbimi. Më tej, në turin e dytë, apo turin e 32-shes, Universiteti i Kalifornisë Jugore do të përballej dhe do të triumfonte në duelin me San Diegon, në një sfidë ku vendasit do të fitonin në 5 sete dhe ku 19-vjeçarja do të jepte 19 pasime të sakta për pikë, si dhe do të bënte 9 pritje të suksesshme të topit.
Ndërkohë që, më 5 dhjetor 2017, Sindi Marina dhe ekipi i saj do të përballeshin në turin e 16-shes, me Minesotën, duke triumfuar brenda 3 seteve, kur ajo dha 17 pasime për pikë, bëri 4 pritje të suksesshme, si dhe një nga 6 pikët që Kalifornia Jugore realizoi direkt nga shërbimi. Por vazhda e skuadrës kaliforniane u ndal në finalen rajonale, që ishte e barazvlefshme për çerekfinalen kombëtare, ku u mund në një betejë epike në 5 sete përballë Floridas.
Shqiptaro-amerikania bëri sidoqoftë një paraqitje mjaft të mirë, me 24 pasime për pikë, 9 pritje të suksesshme dhe dy pikë direkt nga shërbimi. Florida vijoi të shkonte në finalen e madhe kombëtare, ku u mund nga kampionia eventuale, Nebraska, në 4 sete. Megjithatë, rreshtimi midis 8 më të mirave të volejbollit të kolegjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është padyshim një sukses për Universitetin e Kalifornisë Jugore.
Por edhe për sportisten shqiptare, Sindi Marina, e cila e mbyll 2017-ën me statistika mbresëlënëse. Forma e saj është një ogur i mirë edhe për Kombëtaren kuqezi të femrave, që ka përpara në 2018-ën një vit të ngjeshur me veprimtari në parketin ndërkombëtar.