AlbanianSport.com 18/09/2018 19:45
ASNN – Sportistja e re, Sara Hasku, ka nënshkruar gjatë verës një kontratë me skuadrën e Volej Luganos, skuadrës që militon në nivelin më të lartë të kampionatit zviceran, Serisë A. 19-vjeçarja, e cila, përtej moshës së saj të re, është shpallur “kampione” e Shqipërisë me Barleti Volejin dhe Partizanin, por edhe ka veshur edhe fanellën e Kombëtares kuqezi, ka luajtur në fundjavë edhe ndeshjen e saj të parë me skuadrën e re.
Volejbolli shqiptar vazhdon të prodhojë talente dhe njëra prej tyre është edhe Sara Hasku, sportistja e re që ka nënshkruar gjatë verës një kontratë me skuadrën e Volej Luganos, skuadrës që militon në nivelin më të lartë të kampionatit zviceran, Serisë A. 19-vjeçarja, e cila, përtej moshës së saj të re, është shpallur kampione e Shqipërisë me Barleti Volejin dhe Partizanin, ndërsa ka luajtur edhe me Kombëtaren kuqezi të grupmoshës së saj, por edhe me të rriturat, ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me klubin helvet.
Dhe në fundjavë ajo ka luajtur edhe ndeshjen e saj të parë me skuadrën e re, teksa Lugano ka triumfuar në 3 sete në miqësoren ndaj italianeve të Varezes, për të cilat luan një tjetër lojtare e Kombëtares kuqezi, Seda Arapi. Hasku ka luajtur në të 3 setet, duke qenë e vetmja që nuk është ndërruar nga trajneri, çka përbën një ogur të mirë për qendrën 1 m e 83 cm të lartë. Sara Hasku ecën kështu në gjurmët e motrave Prenga, Amarildës dhe Arjolës, të Sava Thakës dhe Erblira Bicit, që e kanë provuar me sukses të luajnë në parketin e vendeve të ndryshme evropiane.