AlbanianSport.com 28/08/2019 21:30
ASNN – Kampionia shqiptare e Evropës flet pas mbërritjes tek skuadra e Serisë A1 në Itali, Busto Arsizio. Pas një sezoni ku fitoi Kupën e Italisë, ndërsa u shpall edhe kampione e Evropës me skuadrën e Novarës, Erblira Bici është zhvendosur tanimë tek skuadra e Busto Arsizios, e cila fitoi Kupën CEV sezonin e shkuar. 24-vjeçarja kuqezi e ka vlerësuar lart grupin e lojtareve të skuadrës së saj të re. Kapitenia e Kombëtares kuqezi beson tek potenciali i kësaj skuadre për suksese.
Erblira Bici ka nisur aventurën e saj të re, me skuadrën e Busto Arsizios, që militon në nivelin më të lartë të volejbollit italian të femrave, që njihet si Seria A1. “Jam shumë e emocionuar që gjendem këtu, në këtë pallat sporti kaq të bukur të kuq, – ka thënë ajo duke folur për profilin zyrtar të klubit në rrjetin social “Facebook”. – Për mua, para se të shkoja tek Novara, mendoja se nuk do t’ia dilja kurrë të arrija këtu, edhe pse për Busto Arsizion kisha dëgjuar që kur isha në Shqipëri.”
“Prandaj shpresoj të bëj më të mirën e mundshme këtë vit këtu”, – ka shtuar lojtarja 1 m e 86 cm e lartë. 24-vjeçarja kuqezi e ka vlerësuar lart grupin e lojtareve të skuadrës së saj të re. “Po, kam luajtur me shoqet e skuadrës së tanishme edhe në Serinë A2, por edhe në atë A1, pra, i njoh të gjitha si volejbolliste, por nuk kam qenë me asnjërën prej tyre në të njëjtën skuadër. Kam dëgjuar fjalë të mira për klubin, çka është e rëndësishme, që është një klub i mirë, është si një familje dhe këtë po e provoj tani.”
Kapitenia e Kombëtares kuqezi beson tek potenciali i kësaj skuadre për suksese. “Po grupi është forca e kësaj skuadre dhe ishte e dukshme edhe kur ka luajtur kundër tyre, ishte shpirti i tyre dhe bënim shumë sakrifica për të mos e lënë topin të prekte parketin, – ka thënë ish-lojtarja e Novarës. – Ishte një grup i këndshëm dhe mbetet i tillë, sepse pak ndryshime janë bërë.” Sezonin e shkuar, Bici fitoi Kupën e Italisë dhe u shpall edhe kampione e Evropës me skuadrën e Novarës, ndërsa Busto Arsizio fitoi Kupën CEV.