AlbanianSport.com 21/01/2019 14:25
ASNN – E ka mbyllur vitin 2018 me titullin simbolik të kampiones së dimrit në nivelin më të lartë të volejbollit italian të femrave, që njihet si Seria A1 dhe e ka nisur vitin 2019 me një tjetër arritje, ndërsa në mesjavë do të jetë e impenjuar me skuadrën e saj në Ligën e Kampioneve të Evropës.
Erblira Bici ka arritur të dielën të sigurojë vendin në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë në volejboll për femra, pasi skuadra e saj, Novara, e ka fituar edhe ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve. Skuadra e diagonalistes shqiptare e kishte fituar ndeshjen e parë me Kuneon, duke triumfuar në 3 sete në fushë të huaj.
Novara ka vijuar të fitojë edhe në ndeshjen e kthimit në fushën e vet, 3-1 me sete. Kapitenia e Kombëtares kuqezi ka luajtur në setin e dytë, të 3-të dhe të 4-t, duke ndihmuar kështu skuadrën në fitore. Volejbollistja 1 m e 86 cm e lartë ka shënuar 10 pikë, duke qenë një nga 3 shënueset më të mira të ekipit të saj në këtë fitore.
Faza finale e Kupës së Italisë, pra, gjysmëfinalet dhe finalja, zhvillohet në Veronë, më 2 dhe 3 shkurt 2019. Duhet theksuar se edhe sezonin e shkuar, Erblira Bici shkoi deri në finale të Kupës së Italisë, por për Serinë A2, pa arritur ta fitojë atë.