AlbanianSport.com 11/02/2018 07:00
ASNN – Volejbollistja shqiptare, Erblira Bici, ka arritur të mërkurën në mbrëmje një tjetër kulm në karrierën e saj të re profesioniste. Bici dhe skuadra e saj, LPM Mondovì kanë shkruar historinë, duke mundur 3-2 në gjysmëfinale Fenera Kierin dhe duke siguruar vendin në finalen e madhe të Kupës së Italisë për Serinë A2 në volejboll për femra. Po vijon i jashtëzakonshëm sezoni aktual për volejbollisten shqiptare, Erblira Bici, e cila, të mërkurën në mbrëmje ka arritur një tjetër kulm në karrierën e saj të re profesioniste.
Pas plot dy orësh e 3 minutash të ethshme, plot 105 pikëve të realizuara nga skuadra e saj kundrejt 95 të skuadrës kundërshtare, Erblira Bici dhe skuadra e saj, Lpm Mondovì kanë shkruar historinë, duke mundur 3-2 në gjysmëfinale Fenera Kierin dhe duke siguruar vendin në finalen e madhe të Kupës së Italisë për Serinë A2 në volejboll për femra.
Megjithëse përgjatë ditëve të fundit ka vuajtur nga një grip i fortë dhe merrte ilaçe, 23-vjeçarja shqiptare Bici ka bërë një ndeshje të jashtëzakonshme, duke shënuar plot 25 pikë (pra, duke i dhuruar LPM Mondovisë e vetme një set) nga 78 pikët që realizoi skuadra e saj (pasi 27 pikët e tjera erdhën nga gabimet e kundërshtareve) dhe duke e udhëhequr ekipin e saj drejt finales së madhe të 28 shkurtit në Bolonjë.
Megjithëse Kupa e Italisë në volejboll për femra, ka dy versione, atë të Serisë A1 dhe atë të Serisë A2, prapëseprapë, dueli i LPM Mondovisë me Batisteli S.G. Marinjanon, do të zhvillohet në të njëjtën sallë, pak para finales së Kupës së Italisë për Serinë A1 dhe do të jetë padyshim një vitrinë e jashtëzakonshme për volejbollisten kuqezi. Edhe në kampionat, skuadra e saj ndan kreun e renditjes pikërisht me Marinjanon dhe është në valle për të siguruar pa patur nevojën e “play-off”-it, vendin midis më të mirave të volejbollit “axurr” të femrave sezonin e ardhshëm.