AlbanianSport.com 28/02/2021 19:25
ASNN – Shënon e vetme 25 pikë në triumfin 3-2 të Kuneos, e mbyll sezonin në 20-shen e shënuesve më të mira. Plot 25 pikë të shënuara, “lojtarja më e mirë e ndeshjes” dhe një vend midis 20 shënueseve më të mira të nivelit më të lartë të kampionatit italian të rrjetës së femrave. Kështu e ka mbyllur volejbollistja shqiptare, Erblira Bici, sezonin e saj të rregullt në Serinë A1, teksa tanimë po përgatitet për fazën e “play-off”-it.
Volejbollistja shqiptare, Erblira Bici, i ka bërë një mbyllje të shkëlqyer sezonit të rregullt të nivelit më të lartë të kampionatit italian të rrjetës së femrave, duke u shpallur edhe lojtarja më e mirë (MVP) e takimit të fituar nga skuadra e saj, Kuneo, në fushën e vet ndaj Kasalmaxhores. Në fakt, 25-vjeçarja ka qenë e papërmbajtshme në fitoren në 5 sete të ekipit të saj, duke shënuar e vetme plot 25 pikë.
E për më tepër, duke bërë një paraqitje të jashtëzakonshme në parket, teksa skuadra e saj e mbyll sezonin e rregullt në vendin e 7-të në renditje dhe pret tanimë të njohë kundërshtaren e saj në fazën e parë të “play-off”-it për titull. Në një betejë që zgjatur plot 132 minuta, skuadra mike ka fituar setin e parë 25-13, me kapitenen kuqezi që realizon 8 pikë për skuadrën e saj.
Ajo vijon të luajë mirë edhe në setin e dytë, ku shënon 4 pikë ndërsa skuadra e saj e fiton atë 25-19, duke rikthyer barazpeshën në rezultat. Bici do të spikasë me 8 pikë në setin e 3-të, të fituar me shifrat 32-30 pas plot 42 minutash, teksa skuadra vendase ryeson 2-1 me sete. Por skuadra mike do të reagojë në setin e 4-t, ku Bici realizon 3 pikë, duke e fituar atë 25-16 dhe duke e çuar kështu gjithçka në setin e 5-të dhe të fundit.
Atje ku skuadra e volejbollistes 1 m e 86 cm e fiton me rezultatin 15-11 dhe gjithë ndeshjen 3-2. Dy pikët e realizuara në këtë set të fundit kanë bërë që Bici të shënojë plot 25 pikë, duke i dhuruar praktikisht e vetme një set skuadrës së saj, ndërsa kjo shifër merr edhe më tepër vlerë kur merr parasysh se përfaqëson diçka më pak se totalin e 91 pikëve të realizuara nga Kuneo, teksa 20 pikët e tjera erdhën nga gabimet e kundërshtareve.
Për më tepër, volejbollistja e Kombëtares kuqezi e mbyll sezonin e rregullt midis 20 shënueseve më të mira të nivelit më të lartë të rrjetës italiane të femrave, me 262 pikë të realizuara në 24 ndeshje, thuajse 11 pikë për çdo ndeshje. Të gjitha këto statistika marrin më tepër vlerë kur merr parasysh faktin se Bici pësoi një dëmtim në dorë në fillim të sezonit dhe kjo ndikoi në aktivizimin e plotë të saj.