AlbanianSport.com 20/12/2017 19:35
ASNN – Pasi ishte shkëputur për afro 4 muaj nga volejbolli aktiv, sportistja e njohur shqiptare, Arjola Prenga, është kthyer të luajë sërish në Norvegji. Kapitenia e Kombëtares shqiptare, e cila pati disa sezone të suksesshme në nivelin më të lartë të volejbollit norvegjez të femrave, duke u shpallur kampione, tanimë konkurron në një nivel tjetër dhe me një sfidë të re. Rikthimi i kapitenes kuqezi në parket është një lajm i mirë që vjen në prag të një viti të ngjeshur për Kombëtaren siç është 2018-ta.
Ka zgjedhur të bëjë një pauzë, por duket se pasioni për sportin ka qenë i madh dhe nuk i ka rezistuar dot joshjes për t’u kthyer në parket. Kështu ka ndodhur me volejbollisten e njohur shqiptare, Arjola Prenga, e cila është kthyer të luajë sërish në Norvegji, ku ndodhet për arsye personale. Kapitenia e Kombëtares shqiptare, e cila pati disa sezone të suksesshme në nivelin më të lartë të volejbollit norvegjez të femrave, duke u shpallur “kampione”, por edhe duke fituar Kupën si me skuadrën e Stod Volejit, ashtu edhe me atë të Randabergut, ishte shkëputur për afro 4 muaj nga volejbolli aktiv.
Por ajo është rikthyer të luajë, tanimë në një nivel tjetër dhe me një sfidë të re. Ajo i është bashkuar skuadrës së Lierne IL-së, ekipit që militon në nivelin e dytë të kampionatit norvegjez të volejbollit për femra, e shtyrë kryesisht nga pasioni për këtë lojë. Por përvoja e 31-vjeçares ka bërë menjëherë diferencën, sepse skuadra e saj është vënë në krye të renditjes së grupit A të Divizionit të parë, pas 4 fitoreve të arritur në 4 ndeshjet e para.
Ndonëse e ka nisur me një fitore të vështirë në një duel me 5 sete (8-25, 30-28, 21-25, 25-14, 15-11), me BK Tromson në nëntor, skuadra e kapitenes shqiptare ka vijuar më pas korrë 3 fitore të tjera në 17 ditët e para të dhjetorit. Kështu ekipi i Prengës ka fituar fillimisht në 3 sete (25-20, 25-8, 25-7), ndaj TSI-së, duke vijuar të triumfojë po në 3 sete (15-25, 18-25, 17-25), ndaj OSI 2-shit dhe duke e mbyllur fazën e parë dhe 2017-ën me një sukses në 4 sete (21-25, 12-25, 25-23, 18-25) ndaj Skjetenit.
Në përfundim të ndeshjeve të fazës së parë, skuadra e volejbollistes 1 m e 80 cm të lartë mban vendin e parë të renditjes me 11 pikë, duke lëshuar vetëm 1 pikë dhe 3 sete në 4 fitoret e arritura deri më tani. Kjo e bën ekipin e Arjola Prengës kandidate kryesore për t’u ngjitur në nivelin më të lartë të Kampionatit Norvegjez të Volejbollit për Femra, ndërsa rikthimi i kapitenes kuqezi në parket është një lajm i mirë që vjen në prag të një viti të ngjeshur për Kombëtaren siç është 2018-ta.