(Video) Volejboll / Bardhi: Salla e re Sportive në Farkë, plotësimi i një ëndrre

Share Button

AlbanianSport.com 28/06/2020 23:10

ASNN – Trajneri Bardhi dhe ish-lojtari i Farka Voleji, Deliu, vlerësojnë mjedisin e ri 800-vendësh. Salla Sportive e Lojërave me Dorë në Farkë, që pritet të përfundohet në kohë për nisjen e sezonit të ri, ka një sipërfaqe prej afro 1,600 metra katrorë dhe një kapacitet prej 800 vendesh të ulura dhe do të kushtojë rreth 80 milonë lekë. Për trajnerin e Farka Volejit, Dritan Bardhi, dhe ish-lojtarin Ildi Deliu, ky mjedis i ri dhe modern është përmbushja e një ëndrre.

Nga një palestër e improvizuar dhe me kushte minimale, dhe që funksiononte kryesisht mbi bazën e dashamirësisë, tek një sallë e re sportive e lojërave me dorë, që ofron kushte më të mira bashkëkohore për lojë dhe gjithçka tjetër. Ky është transformimi nëpër të cilën ka kaluar rrugëtimi i skuadrës modeste të Farka Volejit, që nisi më tepër si një nismë vetjake e trajnerit pasionant, Dritan Bardhi, i cili, duke falënderuar Federatën Shqiptare të Volejbollit dhe presidentin e saj, Erlind Pëllumbi, por edhe Bashkinë e Tiranës dhe këdo që ka kontribuuar për këtë palestër, do të deklaronte: “Do të thoja që, më në fund, kjo është një ëndërr e bërë realitet.”

“Kemi 11 vjet që kemi investuar në sportin e volejbollit, bashkë me djemtë, dhe ka qenë ëndërr të luanim në vendlindjen tonë, në Farkë, dhe t’i kemi edhe tifozët tanë më pranë, – ka vijuar ai. – Sepse gjithmonë janë detyruar të udhëtojnë për të na ndjekur, qoftë në Tiranë, qoftë nëpër rrethe. Tanimë kemi shtëpinë tonë, më në fund.” Bashkëudhëtarë në këtë udhëtim kanë qenë edhe lojtarët, të cilët ishin kryesisht djem të zonës, siç ishte rasti i ish-lojtarit të Farka Volejit, Ildi Deliu.

“Palestra ka qenë një objektiv i vendosur prej kohësh, që atëherë kur isha pjesë e Farka Volejit dhe, më në fund, ky objektiv u arrit dhe besoj se do të ketë një ndikim mjaft pozitiv për zhvillimin e volejbollit në zonën e Farkës”, – pohon 25-vjeçari. Për trajnerin Bardhi, ndërtimi i sallës sportive pritet ta nxitë edhe më tepër zhvillimin e sportit në përgjithësi dhe volejbollit në veçanti. “Shkëndijat e para i ka dhënë, sepse unë aktualisht po i stërvis nxënësit në qiell të hapur, në fushën e futbollit, dhe goxha prurje, tek të rinjtë, tek fëmijët, më saktë”, – thotë ai.

“Në projekt kam që të ngre edhe ekipin e femrave, pasi, para se të bëhej kjo palestër, kishte shumë nxënëse të Shkollës (“Alush Bardhi”) të Farkës që dëshironin të merreshin me volejbollin, – thotë 40-vjeçari. – Por mungesa e një palestre e bënte të pamundur ngritjen e një ekipi të volejbollit për femra, pasi ne stërvitemi tek Palestra e Repartit Ushtarak të Helikopterëve dhe është e vështirë të hysh e të dalësh aty, sepse duhet një leje e veçantë nga Ministria e Mbrojtjes, duke qenë se Ushtria ka rregullat e veta.”

“Prandaj ishte e pamundur, por tanimë mendoj që edhe vajzat e zonës së Farkës të ushtrojnë sportin e volejbollit”, – shton Bardhi. Këtë mendim të trajnerit e mbështet nga përvoja e tij edhe pasuesi i Kombëtares kuqezi. “Palestra ka qenë gjithmonë mungesë për ekipin e Farkës, pasi në fillim jemi stërvitur në qiell të hapur, pastaj në një palestër shkolle, pastaj në palestrën e një reparti ushtarak, – kujton Deliu. – Prandaj ka qenë gjithmonë e vështirë për djemtë që të zhvillonin një seancë stërvitore të mirëfilltë, siç e kërkon edhe volejbolli.”

Natyrisht, ëndrra e madhe e trajnerit dhe lojtarëve të tij është festimi i një trofeu madhor në shtëpinë e tyre të re dhe moderne. “Do të thoja që, kur kemi filluar punën me djemtë para 11 vjetësh, me Ildi Deliun, me Redi Koçin, me Osman Qepën, që i kisha fillimisht nxënës këtu në shkollë dhe që tanimë janë edhe lojtarë të ekipit tonë kombëtar, vendosëm që të qëndronim të bashkuar dhe ta nxirrnim Farkën “kampione”. Ia arritëm qëllimin, duke e shpallur Farka Volejin “kampione” me paratërinjtë dhe të rinjtë.”

“Madje për disa sezone me radhë, duke vijuar të kalonim të gjitha pritshmëritë, pasi morën pjesë në Kampionatin Kombëtar të Të Rriturve, aty ku rivalizuam me ekipet me emër si Partizani, Studenti e të tjerë, duke arritur të fitonim edhe një trofe, Kupën e Federatës, –  thekson zv/trajneri i Kombëtares. – Për dy-tre sezone ishim edhe në fazën e “play-off”-it në kampionat dhe bëmë aty një paraqitje dinjitoze. Një nga objektivat ishte edhe realizimi i kësaj ëndrre, i kësaj palestre, që u bë realitet.”

“Tanimë ka mbetur edhe një objektiv tjetër, shpallja “kampion” i Shqipërisë edhe me të rriturit dhe ngritja e ekipit të femrave, pasi duhet t’i japim mundësi edhe femrave që të kenë mundësi të luajnë sportin e volejbollit këtu në Farkë”, – ka përfunduar trajneri Dritan Bardhi. Salla Sportive e Lojërave me Dorë në Farkë, që pritet të përfundohet në kohë për nisjen e sezonit të ri, ka një sipërfaqe prej afro 1,600 metra katrorë dhe një kapacitet prej 800 vendesh të ulura dhe do të kushtojë rreth 80 milonë lekë.

Artikuj të tjerëFaqja Kryesore

FSHF / Seminari i së Drejtës Sportive, Duka: Futbolli, një fenomen global

FSHF / Seminari i së Drejtës Sportive, Duka: Futbolli, një fenomen global

AlbanianSport.com 15/03/2024 22:10 ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) organizon Seminarin

Luhen 3 takime të javës së 12-të, ai i 4-ti, Tirana-Partizani, më 20 mars

Luhen 3 takime të javës së 12-të, ai i 4-ti, Tirana-Partizani, më 20 mars

AlbanianSport.com 15/03/2024 21:15 ASNN – Vllaznia e Erzeni fitore me shije “play-off”-i, Studenti

Mbyllet java e 17-të, Besëlidhja nuk ndalet, ka luftë për vendin e 4-t

Mbyllet java e 17-të, Besëlidhja nuk ndalet, ka luftë për vendin e 4-t

AlbanianSport.com 15/03/2024 19:25 ASNN – Besëlidhja komandon e vetme Superligën, sfidë e fortë

Kombëtarja / Silvinjo shpall listën, kthehet Manaj & Broja, debuton Hoxha

Kombëtarja / Silvinjo shpall listën, kthehet Manaj & Broja, debuton Hoxha

AlbanianSport.com 15/03/2024 18:30 ASNN – Miqësoret ndaj Kilit & Suedisë, trajneri Silvinjo publikon

Luhen dy takime të tjera të javës së 12-të, fiton Pogradeci & Vllaznia

Luhen dy takime të tjera të javës së 12-të, fiton Pogradeci & Vllaznia

AlbanianSport.com 15/03/2024 17:35 ASNN – Superliga, Pogradeci dhe Vllaznia fitore me shije “play-off”-i

  

Kuqezinjtë në “Gjermani 2024” – Vendi Organizator & Të rejat më të fundit

banner
banner
banner

Arkiva

banner
banner
banner
banner
banner
banner

Kontakte dhe informacione

Rrjeti Shqiptar i Lajmeve Sportive (ASNN)

PR & Marketing:
Gentiana Kodra (Pine)

Rrjetet Sociale

Rreth Nesh