AlbanianSport.com 09/12/2018 20:00
ASNN – Vllaznia ka fituar me një gol të vetëm të dielën në Tiranë ndaj Dinamos, në takimin që uli siparin e javës së 12-të të Kategorisë së Parë. 3 pikët e marrë në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, e ndihmojnë Vllazninë të shkëputet edhe më në krye të renditjes së grupit A, në kuotën e 31 pikëve. Kështu, Java e 12-të e Kategorisë së Parë ka ulur siparin të dielën me takimin e fundit të grupit A, atë midis Dinamos dhe Vllaznisë, që u fitua nga shkodranët me një gol të vetëm.
Në fakt loja gjallërohet vetëm në minutën e 16-të, kur një top i kthyer keq prapa tek Zhunjor, i cili godet, por gjen këmbët e portierit dinamovit, topi kthehet përsëri tek lojtari i Vllaznisë, që godet sërish drejt portës, por bllokon mbrojtja e bluve, ndërsa përpjekja e 3-të e kapitenit Lika është krejtësisht e gabuar. 10 minuta më vonë, vjen një harkim i saktë nga e djathta e sulmit të Vllaznisë, sulmuesi brazilian i kuqebluve zhvendoset bukur në zonë, por kontrolli i topit e lë në baltë dhe shpërdoron një tjetër rast të volitshëm për shënim.
Por, në minutën e 30-të, Zhunjor korrigjon shënjestrën në mundësinë e 3-të që i paraqitet, teksa goditja me kokë e Zeqajt pas një harkimi nga e djathta kthehet në portë dhe aty largon mbrojtja dinamovite, por topi përfundon tek braziliani, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë. Dinamo përmendet vetëm pas mëse një gjysmë ore lojë dhe një goli të pësuar, por goditja nga larg është shumë pak për të shqetësuar portierin shkodran. 6 minuta para fundit të pjesës së parë, vjen një goditje e lirë në pozicion të favorshëm për Dinamon, në minutën e 39-të.
Por topi i ekzekutuar nga Sefa nuk e gjen dot kuadratin e portës shkodrane. Me epërsinë minimale të miqve mbyllet pjesa e parë, por Dinamo është më kërkuese në fillimin e pjesës së dytë dhe rrezikon, por portieri mik, Sherri, arrin ta zotërojë topin e hedhur në zonë, edhe pse me përpjekjen e 3-të të tij. Goditje e lirë nga e djathta e sulmit dinamovit, topi kalon pasqyrë zonën dhe gjen më një fund një fanellë blu, por goditja lë shumë për të dëshiruar në minutën e 63-të. Vllaznia ka rast për të gjetur golin e sigurisë 8 minuta para fund, por pa rezultat.
Shkodranët kanë një tjetër mundësi për të shënuar në minutën e fundit të kohës së rregullt, por Gilman Lika nuk tregohet i saktë në dy përpjekje të njëpasnjëshme dhe Dinamo shpëton. Në krahun tjetër, në minutat shtesë, Dinamo ka një pretendim të qenësishëm për 11-metërsh, por nuk mundon kështu gjyqtari kryesor, Hamiti dhe gjithçka mbyllet me fitoren e Vllaznisë, 1-0, që shkëputet edhe më në krye të renditjes, në kuotën e 31 pikëve.