AlbanianSport.com 02/02/2020 17:55
ASNN – Trajneri i Vllaznisë vlerëson merkaton, kërkon rezultat pozitiv të hënën ndaj Bylisit. Vllaznia rikthehet në ndeshjet e kampionatit pas hapit të gabuar në Kupën e Shqipërisë, ku barazoi 2-2 në shtëpi me Flamurtarin dhe sfida e radhës është vizita e vështirë që do t’i bëjë Bylisit. Për trajnerin Mirsad Jonuz, është e rëndësishme që prej Flamurtarit të jenë nxjerrë mësime e gjithçka të korrigjohet përballë ballshiotëve. “E kam parë situaten e ekipit gjatë muajit janar dhe kemi zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore në testim të ekipit”, – ka thënë ai.
“Kemi patur disa largime nga skuadra dhe kemi ofruar disa të tjerë, duke shtuar konkurrencën në ekip dhe kjo është një gjë e mirë, – ka vijuar trajneri i kuqebluve. – Tashmë çdo ndeshje që kemi përpara shkojmë për ta fituar. Pavarsisht se arritëm barazim, unë mendoj se ndaj Flamurtarit nuk bëmë më të mirën në këtë ndeshje dhe tani përqendrimi është tek ndeshja e radhës me Bylisin. Takimi është shumë i rëndësishëm për ne, por edhe për Bylisin. Tani është shumë e rëndësishme për lojtarët e mire që të luajnë fort dhe të japin gjithçka në fushën e lojës.”
Maqedonasi i stolit shkodran e vlerëson lart kundërshtarin, por beson tek skuadra e tij. “Bylisi është një skuadër shumë e mirë, por ka edhe përbërje shumë të mirë, – thotë Jonuzi. – Të hënën, ata kanë një mungese të rëndësishme si sulmuesi Guido, që është mirë edhe për ne, por kjo nuk do të thotë se është garanci për fitoren e ekipit tonë. Unë besoj se të hënën lojtarët e mi do të japin gjithçka në fushën e lojës dhe të luajnë për fitore. Lojtarët e mi kanë nevojë për mbështetje dhe ne do të komunikojmë edhe me tifozët tanë për mbështetje.”
“Ka edhe 3 muaj e ca që të mbarojë kampionati, ne kemi kupën dhe kemi shanse edhe për kampionatin, por e them edhe një herë më të madhe se këto djem kanë nevojë për mbështetje”, – shtoi ai. Duke vlerësuar ardhjen e Zhunjorit, por edhe të përforcimeve që kanë shkuar deri në 17, trajneri i kuqeblubve është i kënaqur me kontingjentin që ka tashmë në dispozicion. “Sa i përket Zhunjorit, Vllaznia fatmirësisht e njeh këtë lojtar, i njeh cilësitë e tij dhe për mua është një lojtar shumë i mirë”, – tha Jonuzi. – Gjendja e tij është e mirë dhe po punon normalisht.
“Dhe të hënën do të vazhdojë dhe do të luajë nga minuta e parë, – ka theksuar trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz. – Për mua, me këto ofrime Vllaznia ka një ekip të mirë. Kemi një buxhet normal, nuk është se kemi shifra të mëdha, por është normale, ky është buxheti dhe këto janë lojtarët, ne do të luajmë për gjithçka dhe në fund do të shohim.” Takimi Bylis-Vllaznia luhet të hënën në Stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, duke nisur nga ora 14:00.