AlbanianSport.com 13/03/2024 18:25
ASNN – Drejtori Sportiv i Vllaznisë, Tefik Osmani, ka folur të martën pas hedhjes së shortit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, që i vuri kuqeblutë përballë fitueses në fuqi të këtij trofeu, Egnatias. “Mendoj që të 4 skuadrat e kanë merituar që kanë ardhur deri këtu, ne do t’ia bëjmë “hyzmetin” çdo skuadra që do të na binte, – ka thënë ai fillimisht. – Në këtë fazë nuk ka skuadra të lehta, do të japim maksimumin për të shkuar në finale.”
“Vllaznia gjithmonë ka qenë për të dy trofetë, që kur është krijuar klubi, – ka vijuar drejtuesi kuqeblu. – Unë për veten time se kam përmendur asnjëherë fjalën titull, euforia ka kohë që tek ne është me këmbë në tokë sepse kemi dhënë në çdo ndeshje maksimumin do të vazhdojmë të qëndrojmë kështu por nuk kemi siguruar asgjë. Kupa është ndryshe nga kampionati, takimi i parë do të jetë më i kujdesshëm nga të dyja skuadrat, ndeshja më e bukur për tu ndjekur do të jetë ajo e dyta.”
“Nuk i trembemi dhe do të japim maksimumin. Ndeshja Tirana-Kukësi është shumë e fortë, ajo skuadër që nuk jep maksimumin 100% do të ketë probleme. Presidenti i Federatës ka ardhur pasi do të ndërtohen disa fusha, kryeministri për qytetin e Shkodrës. Ju lutem edhe njëherë mos ua hidhni djersën atyre djemve që po bëjnë maksimumin për atë qytet”, – ka përfunduar Drejtori Sportiv i Vllaznisë, Tefik Osmani, duke folur të martën pas hedhjes së shortit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë.