AlbanianSport.com 23/04/2019 19:55
ASNN – Të mërkurën (20:45), drejpërdrejt në RTSH Sport, supersfida e Kupës së Gjermanisë. Gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Gjermanisë do të vërë përballë njëra-tjetrës Verder Bremenin dhe Bajernin e Mynihut, dy ekipet që padyshim kanë qenë ndër favoritet për këtë trofe që më 18 gusht të 2018-ës, kur edhe nisi ky edicion i saj. Në fakt, si në turin e parë, atë të 64-shes, ashtu edhe në atë të 32-shes, të dyja skuadrat patën një rrugëtim formal, teksa Verder Bremeni mposhti fillimisht 6-1 amatorët e Vormatia 08 Vormsin, e më pas 5-1 ato të Vaihe Flensburgut.
Në krahun tjetër, Bajerni i Mynihut u tregua i kursyer, duke triumfuar minimalisht, me një formacion eksperimental, si ndaj Drohtersen/Aselit, 1-0, ashtu edhe ndaj Rodinghausenit, 2-1. Megjithatë, gjërat u bënë serioze në turin e 16-shes, kur Verder Bremeni u kualifikuar vetëm pas goditjeve nga pika e bardhë përballë Borusias së Dortmundit, pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë u mbyll në barazim 3-3, më 5 shkurt 2019. Ndërsa një ditë më pas, edhe Bajerni iu fal kohës shtesë për të mposhtur 3-2 në Berlin Herthën vendase.
Çerekfinalet nuk patën nevojë për kohën shtesë për të dyja skuadrat, por bavarezëve iu desh të djersinin për të mposhtur 5-3 Haidenhaimin e Bundesligës së dytë, kurse Verder Bremeni ishte bindës në atë fitore cinike, 2-0, që arriti ndaj Shalke 04-ës. Bajerni i Mynihut mban për momentin kreun e renditjes së Bundesligës, me një pikë më tepër sesa ndjekësja më e afërt, Borusia e Dortmundit, ndërsa Verder Bremeni e shikon Kupën si një shans për të siguruar Evropën, pasi në kampionat ajo duket shumë larg, e parë nga vendi i 8-të ku dergjet aktualisht.