AlbanianSport.com 20.02.2017 19:55
ASNN – Derbi i madh i kryeqytetit është ngjyrosur sërish me të kuqe, pasi Partizani ka fituar me shifrat 2-0 ndaj Tiranës, duke ruajtur hapin me dy rivalet e kreut, Kukësin, që sot barazoi pa gola me Laçin, dhe Skënderbeun. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Pasi ka sjellë në fundjavë ndeshjet e Kategorisë së Parë, transmetimet sportive në Rrjetin e RTSH-së kanë vijuar edhe të hënën, pasi ekrani publik ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt derbin e madh të kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit. Kjo ndeshje, që u luajt në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, ka nisur mjaft mirë të të kuqtë, të cilët fillimisht do të godasin shtyllën e portës së Tiranës në minutën e 7-të, duke vijuar të gjejnë edhe golin e parë 5 minuta më pas. Qendërmbrojtësi Malota ka kërcyer më tepër se mbrojtësit bardheblu, duke goditur saktësisht me kokë dhe duke mposhtur portierin e Tiranës, Lika. Partizani ka kaluar kështu në epërsi, ndërsa reagimi i Tiranës është i vakët dhe i paqartë në ato pak raste që krijoi për shënim. Me këtë epërsi minimale të Partizanit mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat nisin me gol, pasi Tirana barazon shifrat me anë të Olsi Teqes. Qendërmrojtësi bardheblu nuk e ka të vështirë të shënojë pasi portieri dhe mbrojtja e të kuqve kryeqytetas gabojnë në mënyrë të pabesueshme. Përtej një periudhe të mirë të bardhebluve, është Partizani që gjen sërish rrugën e rrjetës, me anë të Ekubanit, i cili finalizon me sukses një aksion të zgjuar të të kuqve në minutën e 70-të. Njëzetë minutat e mbetura dhe 3 minuta shtesë nuk sollën gola të tjerë dhe Partizani fiton 2-1 ndaj Tiranës.