AlbanianSport.com 02.11.2016 13:25
ASNN – Mirel Josa është trajneri i ri i Tiranës. Ai e merr drejtimin e skuadrës bardheblu pas largimit të Ilir Dajës. “Kanë qenë rezultatet ato që kanë ndikuar në largimin e trajnerit Daja”, – ka theksuar në konferencën për shtyp Presidenti i Tiranës, Refik Halili. Objektivi i Tiranës, vazhdon të jetë titulli “kampion” dhe pjesëmarrja në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm.
Edhe pse pësoi vetëm një humbje, në përfundim të fazës së parë të këtij sezoni të ri të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Ilir Daja nuk do të jetë më trajner i Tiranës. Presidenti i klubit të Tiranës, Refik Halili ka vendosur të ndërpresë kontratën me Dajën dhe, në vend të tij do të jetë Mirel Josa. Ky i fundit ka theksuar se Tirana ka lojtarë të mirë.
Synimi i tij do të vazhdojë të jetë po i njëjtë, titulli “kampion” dhe pjesëmarrja në Kupat e Evropës. Më tej presidenti Halili ka zbuluar një fakt tejet të rëndësishëm për të gjithë sportdashësit e Tiranës, se borxhi sportiv i klubit është shlyer gati 95%. Trajneri Mirel Josa ka nisur që të mërkurën pasdite stërvitjen me Tiranën për të realizuar objektivat e klubit.