AlbanianSport.com 19/06/2020 20:10
ASNN – Tirana ka hedhur edhe një tjetër hap të sigurt drejt titullit, teksa ka mundur të premten Vllazninë me rezultatin 3-0 dhe është shkëputur përkohësisht 9 pikë në krye të renditjes. Dy gola në pjesën e parë dhe një në të dytën kanë fiksuar triumfin 3-0 të bardhebluve, që gjysmën e lojës e luajtën edhe me 10 lojtarë. Pjesa e parë e ndeshjes së luajtur në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, që i ka patur të gjitha, ka nisur më mirë për bardheblutë në minutat e para.
Por rastet më të mira do të nisin të ndërtohen pas 10 minutave të para dhe, në të 14-ën, Tirana ka një pretendim të qenësishëm për 11-metërsh, pas një rasti të shkuar dëm nga Torrasa, por, për gjyqtarin Enea Jorgji, gjithçka është e rregullt. Në fakt, pamjet televizive provojnë të kundërtën. Vllaznia bëhet e gjallë, por, sidoqoftë e parrezikshme, vetëm pas një çerekore lojë, por shkodranët janë në të drejtën e tyre për të protestuar në minutën e 25-të, pas një prekjeje me dorë të Bathës brenda zonës.
Edhe këtë radhë, për gjyqtarin Enea Jorgji, gjithçka është e rregullt. Por edhe këtë radhë, pamjet televizive provojnë në fakt, të kundërtën. Dhe pas një goditjeje të lirë të Likës, që vë në provën emnakun e tij në portën bardheblu, Tirana thyen më në fund qëndresën e shkodranëve, duke kaluar në epërsi pas një pasimi të saktë të Ngo’osë, që përcillet në rrjetë nga Torrasa në minutën e 31-të.
Pesë minuta më pas, bardheblutë dyfishojnë shifrat dhe këtë radhë është vetë Ngo’o që finalizon me sukses. Vllaznia mundohet të përgjigjet me Sidorenkon, por pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë dygolëshe të bardhebluve, të cilët sidoqoftë, shkojnë në pushim të ndeshjes me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Hoxhallarit. Pjesa e dytë do të karakterizohet nga ndërrimet e shumta dhe, ndonëse me një lojtar më pak, Tirana rrezikon ta gjejë golin e 3-të në minutën e 58-të, me Kalenë.
Është i njëjti lojtar që sidoqoftë korrigjon shënjestën 5 minuta më pas, pas një pasimi të njeriut të ndeshjes, Najkëll Ngo’o, që dha kështu pasimet për dy gola dhe realizoi një tjetër. Vllaznia nuk është në fushën e blertë përballë një kundërshtari inferior në numër, por që rrezikon të gjejë edhe një gol të 4-t. Sidoqoftë, Tirana fiton 3-0 dhe shkëputet 9 pikë në krye të renditjes, duke hedhur një hap të sigurt drejt titullit.