AlbanianSport.com 19.04.2016 13:00
ASNN – Tenisi ishte fituesi i madh i çmimeve prestigjioze “Laureus” për vitin 2015, pasi Serena Uilliams për femra dhe Novak Gjokoviç për meshkuj u shpallën sportistët më të mirë në ceremoninë e zhvilluar të hënën në mbrëmje në Berlin.
Me shkëlqimin që e shoqëron, ceremonia më prestigjioze e çmimeve të botës së sportit, Çmimet “Laureus”, ka kurorëzuar edhe për këtë vit sportistët më të spikatur dhe ai që e ka rrëmbyer kreun e podiumit ka qenë tenisi.
Serena Uilliams dhe Novak Gjokoviçi ishin fituesit e mëdhenj të mbrëmjes që kurorëzon jo vetëm arritjet sportive të protagonistëve, por edhe vlerat që ata përcjellin në shoqëri si modele për t’u ndjekur.
Amerikania Serena Uilliams i ka shtuar kështu një tjetër kulm karrierës së saj të lavdishme, pasi ka marrë të 4-tin Çmim “Laureus”, 3 herë si sportistja e vitit dhe një herë si “Rikthimi i Vitit”.
Një tjetër tenist i jashtëzakonshëm, Novak Gjokoviç, e fitoi këtë çmim prestigjioz për herë të dytë radhazi dhe të 3-ën në karrierën e tij, një arritje që ai ia dedikon veçanërisht trajnerit të tij, legjendës së tenisit gjerman dhe botëror, Boris Beker.