Gjergj Vyshka 18.08.2016 10:15
Është konfirmuar ftesa për Kampionin e Ballkanit, Ermal Hadribeaj, si dhe pjesë e ekipit do të jenë dhe kampionët që dolën në aktivitetin e Sarandës të dielën e kaluar. Presidenti Rizai kërkon mbështetje: “Do të jemi dinjitozë”.
Luftëtarët shqiptarë, apo Gladiatorët e ndeshjeve të lira, janë gati për Kampionatin Evropian në Pragë. Ftesa e konfirmuar është për sportistin Ermal Hadribeaj, “kampion” i Ballkanit me Federatën Shqiptare të Ndeshjes së Lirë-MMA.
Ndërkohë të dielën e kaluar në Sarandë përfundoi kampionati “Gladiator Albania 4”, ku u përcaktuan pjesëmarrësit për në Kampionatin Evropian të Pragës në Republikën Çeke.
Kështu ka lajmëruar për Sport Ekspres, presidenti i Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizai. Fituesit e “Gladiator 4” ishin Julian Qallia, Isuf Bylyku, Artur Pullafi, Xhemal Boja, Renato Dragoti, Hyqmet Lushi, Mirjan Myrta, Dorian Potka, Bjorni Rustemi, Nazif Bahiti, Rindi Pasko dhe Niko Pjetri.