AlbanianSport.com 25.08.2016 11:55
ASNN – Skuadrat e kualifikuara për më tej në Ligën e Kampioneve do të njihen sot me kundërshtarët me të cilët do të luajnë më tej në këtë veprimtari. Në orën 18:00, në Monako do të hidhet shorti për fazën e grupeve. Risi është fakti se skuadrat të cilat do të jenë kokë grupi do të përcaktohen nga renditja në UEFA e shteteve të tyre si dhe nëse kanë fituar titullin “kampion” në kampionatet e tyre përkatëse.
Kështu, shorti për Ligën e Kampioneve, për sezonin 2016-2017, për fazën e grupeve do të hidhet sot në orën 18:00 në “Grimaldi Forum” të Monakos. Për herë të parë, në këtë sezon do të ketë një revolucion në hedhjen e shortit. Përcaktimi i skuadrave të cilat quhen “kokë grupi”, nuk do të jetë më një çështje renditje të klubeve përkatëse sipas UEFA-s.
Por vendimtare do të jetë fitorja e kampionateve të tyre, pra nëse janë “kampione” të vendit si dhe renditja e shteteve të tyre në 7 vendet e para të UEFA-s. Kështu midis 8 skuadrave që do të kryesojnë grupet në Ligën e Kampioneve do të jenë edhe Leister Siti e CSKA-ja e Moskës, të cilat që bashku me Bajernin e Mynihut, Barcelonën, Juventusin do të jenë elita e futbollit evropian për klubet.
Këtyre do t’u bashkohet edhe Reali i Madridit, si fitues në fuqi i Ligës së Kampioneve. Ndërsa, përsa i përket skuadrës së dytë, të tretë apo të katërt në grup do të vazhdohet me mënyrën e mëparshme, pra do të vendosen sipas renditjes së klubeve nga UEFA. Sot pasdite do të nisë rrugën kjo veprimtari e rëndësishme e futbollit evropian të klubeve.
Gjithçka do të fillojë nga faza e grupeve për të përfunduar në 3 qershor 2017, me finalen. e cila do të zhvillohet në Stadium “Millenium” të Kardifit. Gjatë hedhjes së shortit do të shpallet edhe fituesi i çmimit “Futbollisti Evropian i vitit 2016”, për meshkuj dhe femra.