AlbanianSport.com 19/01/2024 16:30
ASNN – Skiatorja kuqezi, Lara Kolturi, ka bërë një tjetër garë të mirë të shtunën në sllallomin gjigand, duke u renditur e 13-ta pas dy zbritjeve, në stacionin e radhës të Kupës së Botës, që po mbahet në Jasna të Sllovakisë.
Kështu, garat e Kupës së Botës për femra në ski u spostuan sot në pistën e Jasnas, në Sllovaki. Skiatorja italiane me pasaportë shqiptare ishte sërish protagoniste, këtë herë në garën e sllallomit gjigand, ku u rendit në vendin e 13-të.
Një tjetër garë e mirë për skiatoren 17-vjeçare italiane, që ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë, që këtë sezon po hyn sistematikisht në 20-shen e më të mirave thuajse në çdo garë që merr pjesë.
Pas zbritjes së parë, Kolturi dha kohën 1 minutë, 13 sekonda e 83 të qindtat, ndërsa pas zbritjes së dytë dha kohën 1 minutë, 10 sekonda e 42 të qindtat. Dhe, pas dy zbritjeve, Lara Kolturi dha kohën e përgjithshme 2 minuta, 24 sekonda e 25 të qindtat, duke u renditur në vendin e 13-të.
Të dielën, ajo do të garojë në disiplinën e sllallomit, duke synuar të marrë të tjera pikë të vlefshme në renditjen e Kupës së Botës, ku skiatorja e talentuar kuqezi por ngjit me shpejtësi shkallët e karrierës.