AlbanianSport.com 22.10.2016 10:25
ASNN – Trajneri i Skënderbeut, Andrea Agostineli, ka deklaruar se sfida me Kukësin paraqet një shans të mirë për të harruar humbjen me Tiranën dhe për të rikonfirmuar kreun e renditjes. Takimi Skënderbeu-Kukësi luhet sonte në Korçë, duke nisur nga ora 17:00. Skënderbeu ndeshet sonte me Kukësin në Korçë dhe, për trajnerin Andrea Agostineli, skuada e ka lënë pas humbjen e javës së shkuar me Tiranën.
“Skuadra është e qetë, – ka thënë ai. – Kur humbet ndeshjen e parë të dhemb gjithmonë, megjithatë jemi të vetëdijshëm për forcën tonë dhe për faktin se, deri në këtë pjesë të kampionatit, Skënderbeu ka qenë dukshëm skuadra më e mirë. Shpresoj të kthehemi te triumfi, edhe sepse kur mësohesh të fitosh gjithmonë, hapi i parë fals ndihet më tepër.”
Korçarët synojnë të hakmarren për humbjen ndaj Kukësit në Superkupë, ndonëse Agostineli u është referuar edhe statistikave. “Ndaj Kukësit është një përballje që absolutisht mund ta fitojmë prej forcës dhe cilësisë tonë, por ndeshemi me një skuadër të fort dhe vetëm fusha do ta thotë fjalën e fundit, – ka theksuar italiani. – Superkupa ishte një ndeshje specifike dhe nuk mund të shërbejë si test.”
“Sepse kjo e tanishmja është një ndeshje tjetër, – ka shtuar Agostineli. Ne do të luajmë për të fituar. E kemi arritur këtë në gjashtë nga shtatë ndeshje deri më tani dhe shpresojmë që kjo statistikë të vazhdojë.” Trajneri Agostineli e kalon presionin te kundërshtarët, ndërsa përcakton edhe rivalët për titullin. “Presionin e kanë skuadrat që ndjekin”, – ka thanë ai.
“Po të isha në vendin e tyre, me 4 pikë më pak se kryesuesit do të kisha më tepër presion, sepse e ke kategorikisht të ndaluar të gabosh, – ka kujtuar trajneri i korçarëve. -Nuk besoj se renditja duhet parë në këto momente, edhe pse ndoshta arrin të krijosh një ide që nuk është përfundimtare, për katër skuadrat që do të rivalizojnë deri në fund për trofe.”
“Katër të parat kanë krijuar një diferencë nga të tjerat dhe mund të them se me 90 % do të jenë ato ekipet që do të pretendojnë titullin”, – ka përfunduar trajneri i Skënderbeut, Andrea Agostineli. Takimi Skënderbeu-Kukësi luhet sonte në Korçë, duke nisur nga ora 17:00.