AlbanianSport.com 13.01.2017 22:05
ASNN – Ka ardhur sot pasdreke edhe fitorja e parë në Turqi edhe për Skënderbeun. Skuadra korçare mundi me rezultatin 3-1 azerët e Sumçajit. Ka patur shumë eksperimente nga trajneri Ilir Daja, ndërsa shënuesit për Skënderbeun ishin Hamdi Salihi, iraniani Reza Karimi dhe nigeriani Çarls.
Ekipi korçar do të luajë edhe një takim tjetër më 15 janar 2017, me Karabagun ku militon kapiteni kuqezi, Ansi Agolli. Kështu, Skënderbeu ka arritur ta fitojë miqësoren e dytë në Antalja. Trajneri Daja e nisi takimin me formacionin e përbërë nga Shehi, Vangjeli, Jashanica, Radas, Mici, Orelesi, Nimaga, Lilaj, Latifi, Xhejms Adeniji e Salihi.
Korçarët e nisën mirë lojën, duke e dominuar kundërshtarin dhe duke krijuar raste të mira përpara portës kundërshtare. Por goli i epërsisë do të vinte vetëm në minutën e 20-të të takimit, me anë të shkodranit Hamdi Salihi. Pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej me epërsinë minimale të skuadrës së Dajës.
Pjesa e dytë do të niste sërish me Skënderbeun më kërkues, me trajnerin Ilir Daja që ndërroi pothuajse gjithë ekipin, edhe për të provuar lojtarët në pozicione të ndryshme. Në fushë u hodhën gjithashtu edhe 3 lojtarët e ardhur në provë, Predesku, Çarls dhe Boakai.
Kështi, formacioni në pjesën e dytë ishte: Shehi, Idrizaj, Lulaj, Mustafa, Gavazaj, Plaku, Predesku, Boakai, Serzhio, Karimi, Çarls. Tri golat e tjerë të takimin do të shënoheshin në çerekun e fundit të lojës. Korçarët do të dyfishonin shifrat në minutën e 80-të, kur Gavazaj rikuperon mjaft bukur një top në zonën e vet.
Ai vijon ta udhëheqë i vetëm topin drejt zonës kundërshtare, ku pason për Karimin, e cili dyfishon shifrat. Vetem dy minuta më vonë, sulmuesi i ardhur së fundmi në provë, Çarls, do të shënonte dhe golin e tretë për Skënderbeun, pas një veprimi mjaft të bukur të Idrizajt në krahun e djathtë.
Skuadra e Sumçajit do të shënonte golin e nderit dy minuta nga fundi i kohës së rregullt, por korçarët e kanë mbyllur kështu takimin e dytë miqësor në Antalja me shifrat 3-1 në favor të tyre.