AlbanianSport.com 17.03.2017 20:05
ASNN – Java e 26-të e Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka nisur sonte me ndeshjen e parë të saj, atë midis Skënderbeut dhe Kukësit, që është mbyllur në barazim 1-1. Kjo ndeshje, që u luajt në Korçë dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka parë brazilianin Karioka të shënojë në minutën e parafundit dhe të bëjë të pavlefshëm golin e Latifit në pjesën e parë.
Edhe pse është dukur se pas 26 javësh do t’i vinte fundi, përsëri nuk ka ndodhur kështu. Kur kishte mbetur edhe një minutë nga koha e rregullt, Karioka ka goditur mjeshtërisht, duke mposhtur portierin Shehi dhe duke përshëndetur rrjetën, por edhe duke ruajtur të paprekur kolonën e humbjeve për Kukësin këtë sezon, ku ka korrur 13 fitore dhe ka marrë po aq barazime.
Verilindorët kanë marrë një barazim 1-1 në Korçë ndaj Skënderbeut vendas, në takimin që u luajt në Korçë dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Ndonëse Kukësi e pati nisur më mirë ndeshjen, duke rrezikuar fillimisht me anë të Pejiçit dhe, më pas, me anë të Lenës, janë vendasit që do të gjejnë golin në minutën e 14-të, kur Liridon Latifi godet zgjuarsisht në kufinjtë e zonës dhe mposht portierin Koliçi.
Gjysmëora e mbetur e pjesës së parë ka parë Kukësin më kërkues, por konfuz, dhe Skënderbeun më të rrezikshëm, teksa ka goditur edhe dy herë portën e verilindorëve, por pa arritur të gjejë golin e dytë. Me epërsinë minimale të vendasve do të mbyllet pjesa e parë dhe kjo do të vazhdojë deri në minutën e parafundit, kur ka goditur Karioka.
Kukësi ruan kreun me 52 pikë, dy më tepër sesa Skënderbeu dhe 3 më tepër sesa Partizani, që ka luajtur një ndeshje më pak. Të shtunën pasdreke luhen dy takime të tjera të javës së 26-të, Korabi-Partizani dhe Laçi-Flamurtari, ndërsa të dielën pasdreke Luftëtari pret në Gjirokastër Tiranën, kurse në mbrëmje, duke nisur nga ora 17:00, Teuta përballet në Shkodër me Vllazninë.