AlbanianSport.com 18.08.2017 07:55
ASNN – Ka qenë mjaft pranë një suksesi historik, por në fund është detyruar të kënaqet me një barazim 1-1, që prapëseprapë mbetet një rezultat i vyer dhe mjaft premtues për ndeshjen e kthimit.
Skuadra e vetme shqiptare, e mbetur ende në veprimtaritë e futbollit kontinental të klubeve, Skënderbeu, ka luajtur sonte ndeshjen e parë të saj të përballjes në kuadër të fazës së “play-off”-it të Ligës së Evropës.
Nënkampionia e Shqipërisë është përballur sonte me Dinamon e Zagrebit në Kroaci, në takimin që është vendosur nga dy gola të shënuar nga një për secilën pjesë loje nga secila skuadër.
Përkundër pritshmërive, teksa vendasit erdhën në këtë sfidë si favoritë, ka qenë Skënderbeu që kaloi i pari në epërsi me anë të Liridon Latifit, që shënoi 8 minuta para fundit të pjesës së parë.
Megjithatë, Dinamo ka luftuar në pjesën e dytë, duke arritur ta thyejë qëndresën e korçarëve vetëm në minutën e 4-t shtesë të ndeshjes, nga 5 të tilla, kur Henrikez shënoi për vendasit.
Sidoqoftë, ky barazim është një rezultat mjaft i favorshëm për Skënderbeun në ndeshjen e kthimit, që luhet pas një jave në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 20:00.