AlbanianSport.com 02/09/2019 19:15
ASNN – Kombëtarja kuqezi zhvilloi të hënën seancën e parë stërvitore, grupi i lojtarëve, i plotë në dispozicion të trajnerit Reja. Kombëtarja ka nisur javën e përgatitjeve për përballjen e 7 shtatorit me Francën, duke zhvilluar të hënën në mbrëmje në Durrës seancën e parë stërvitore. Sipas informacionit që ka përcjellë zyra e shtypit pranë organizmit që qeveris futbollin shqiptar, FSHF-së, grupi i lojtarëve ka qenë i plotë në dispozicion të trajnerit Edi Reja.
Të shtunën, trajneri i Kombëtares kuqezi pati shpallur listën e 25 lojtarëve që ai ka vendosur të grumbullojë për dy sfidat për sfidat ndaj Islandës dhe Francës, të vlefshme për grupin H të Eliminatoreve të “EURO 2020”-ës. Në sy bie mungesa e sulmuesit Armando Sadiku, që është lënë jashtë nga trajneri italian, duke u vendosur në atë që trajneri veteran e ka quajtur si “lista e lojtarëve të gatshëm. Ndërkaq, është thirrur për herë të parë Klaus Gjasula dhe të grumbulluar janë gjithashtu Kumbulla dhe Binaku.
Seanca e parë stërvitore ka qenë e karakterit shkrythës dhe i paraprin dy seancave të plota që do të vijojnë të martën, e para, që zhvillohet duke nisur nga ora 10:00 dhe e dyta, sikundër ajo e së hënës, duke nisur nga ora 17;30. Ndërkaq, sikundër ndodh zakonisht, pasdreke, dy lojtarë të Kombëtares do të dalin në konferencën e përditshme për shtyp. Në prag të këtyre dy sfidave eliminatore, Shqipëria mban vendin e 3-të në grupin H, me 6 pikë, 3 më pak sesa 3 bashkëkryesueset e grupit, Franca, Turqia e Islanda.