AlbanianSport.com 10.10.2016 09:55
ASNN – Pas humbjes me Spanjën, trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi, ka theksuar faktin se kundërshtari ishte i vështirë. Sipas tij, futbollistët spanjollë kanë aftësi jo vetëm në zotërimin e topit, por edhe kur kalojnë të parët në epërsi, është e vështirë t’u shënosh. Ndërsa trajneri i Spanjës, Lopetegi, ka vlerësuar skuadrën kuqezi, si dhe atmosferën në “Loro Boriçi”.
Xhovani De Biazi është shfaqur tepër i mërzitur në përfundim të ndeshjes me Spanjën, të dielën në mbrëmje. Në intervistën e dhënë për Televizionin Shqiptar, ai është shprehur se Spanja është një skuadër e cila, nëse kalon në epërsi e para, është e vështirë t’i shënosh më pas. Italiani me pasaportë shqiptare e ka mbrojtur skemën e lojës së tij të gjithën në mbrojtje.
Ai ka theksuar se kuqezinjtë u ndëshkuan nga gabimet e tyre në dy rastet e pësimit të golit. Ndërsa homologu i tij iberik, trajneri spanjoll, Hulen Lopetegi, e ka vlerësuar ekipin shqiptar për lojën e shfaqur në fushë, arritjet e deritanishme si dhe mjedisin e mrekullueshëm në Stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. “E dinim që na priste një ndeshje e vështirë”, – ka pohuar ai.
“Shqipëria ka një ekip të mirë që na vuri në vështirësi sidomos në pjesën e parë, – ka vijuar trajneri i përfaqësueses së Spanjës, duke folur pas triumfit 2-0 që skuadra e tij arriti ndaj kuqezinjve. – Në të dytën fati ishte me ne teksa shënuam pas atij gabimi që bëri portieri Berisha. Pastaj çdo gjë foli për ne. Jam i lumtur për fitoren e arritur dhe për faktin që skuadra po ecën mirë. Mjedisi në stadiumin “Loro Boriçi” ishte i mrekullueshëm.”