AlbanianSport.com 05/10/2021 17:55
ASNN – Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare të Nën-21-vjeçarëve, Fatmir Prengaj dhe Armando Dobra kanë dalë ditën e martë në një konferencë zyrtare për mediat, përpara dy ndeshjeve të tetorit që kuqezinjtë do të zhvillojnë ndaj Andorrës dhe Sllovenisë në Stadiumin “Elbasan Arena”. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi ka nisur grumbullimin që prej ditës së diel në Durrës, teksa po përgatiten intensivisht për ndeshjet eliminatore të vlefshme për “Euro 2023”. Fillimisht, kuqezinjtë do të luajnë kundër Andorrës, më 7 tetor ndërsa më 11 tetor do të përballen me bashkëmoshatarët sllovenë.
Fatmir Prengaj, sulmuesi shqiptar që aktivizohet në radhët e Laçit u shpreh se skuadra është e përqëndruar 100% te ndeshja e parë ndaj Andorrës, ndërsa theksoi se objektivi kryesor i skuadrës është të kualifikohet në Evropian.”Si gjithmonë, Shqipëria synon fitoren dhe fokusimi është Andorra, duhet të marrim 3 pikëshin, pasi është shumë i nevojshëm për ne, më pas mendojmë për Slloveninë, që duhet të fitojmë edhe me këtë ekip, por jemi të fokusuar 100% te ndeshja e parë kundër Andorrës, – ka thënë ai. – Kjo është ndeshja e parë që unë luaj kundër Andorrës dhe skuadra e njeh këtë ekip.”
“Ka djem që janë që në grumbullimin e vjetshëm dhe e njohin dhe besoj se do të marrim maksimumin nga kjo ndeshje dhe ta fitojmë, – ka vijuar Prengaj. – Synimet e Shpresave të Shqipërisë janë që të arrijmë fazën finale të Evropianit, por duhet të bëjmë më të mirën tonë dhe çdo ndeshje ta marrim si të radhës dhe të fitojmë. Tek klubi i Laçit ndihem mirë, nuk jam aktivizuar shumë por pres që në vazhdim të aktivizohem edhe më shumë”, – ka përfunduar futbollisti i Kombëtares shqiptare të Nën-21-vjeçarëve.