AlbanianSport.com 27/05/2019 16:40
ASNN – Për të arritur objektivin, një vend të parë ose të dytë në grup, kombëtares shqiptare të Nën-21-vjeçarëve, të njohur ndryshe si Shpresat, i duhet fitorja me Turqinë. Kjo është ndeshja e 3-të për kuqezinjtë e trajnerit Alban Bushi në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe dhe, nga dy të parat, ajo ka grumbulluar vetëm 1 pikë.
Prej disa ditësh, Shpresat kuqezi kanë nisur grumbullimin në prag të ndeshjes me Turqinë, e cila luhet në 7 qershor 2019. Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi, Nën-21-vjeçarët kuqezi po stërviten në Stadiumin “Elbasan Arena”. Duket se fryma në ekip është e mirë dhe lojtarët janë në harmoni me njëri-tjetrin. Të këtij mendimi janë dy futbollistët e rinj, Kleandro Lleshi dhe Aristidi Kolaj.
“Mikpritja e grupit ishte shumë e mirë, u ndjeva shumë komod, – ka thënë Lleshi. – Të gjithë ishin me dëshirë dhe lojtarët shumë pozitivë. Sa i përket aktivizimit, i përket trajnerit unë kam për detyrë të stërvitem dhe të kryej detyrat që më takojnë, të tjerat ia lëmë kohës. Çdo gjë vjen me kohën, duke dhënë maksimumin tënd në çdo hap. Për ne ndeshja me Turqinë është shumë e rëndësishme pasi duhet të marrim rezultat.”
“Kjo vjen për arsye se kemi luajtur 2 ndeshje në këto eliminatore dhe nuk kemi marrë atë qe duhet sa i përket rezultatit, ka vijuar ai. – Për ne, çdo ndeshje është e rëndësishme dhe shkojmë për fitore, pavarësisht kundërshtarit. Futbolli luhet 11 ndaj 11, ne kemi dhënë maksimumin por nuk kemi pasur edhe fatin me vete. Për momentin luaj me Leganes B, por kontratën e kam me ekipin A.”
“Shpresoj shumë shpejt t’i bashkohem, por është zgjedhje e trajnerit”, – përfundoi Kleandro Lleshi. Pas dy ndeshjeve të para që kanë zhvilluar Shpresat, me Turqinë dhe Andorën, në këto Eliminatore të Kampionatit Evropian, kanë vetëm një pikë, një humbje dhe një barazim. E për të synuar objektivin, një vend të parë ose të dytë në grup, skuadrës kuqezi i duhet fitorja në Turqi.
Me këtë synim shkojnë në këtë sfidë futbollistët e drejtuar nga Bushi. “Ne jemi një skuadër kombëtare shumë e bashkuar dhe po shkojmë në ndeshjen e Turqisë, për të marrë një fitore, – ka thënë Kolaj. – Në Itali luaj me ekipin e Nën-19-vjeçarëve të Sasuolos dhe kam bërë mirë në kampionat dhe për t’u stërvitur, po stërvitem me ekipin A.”
“Jam grumbulluar edhe për ndeshje miqësore të kombëtares dhe jam përshtatur me me shokët e ekipit”, – ka përfunduar Aristidhi Kolaj. Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve do të vazhdojë të stërvitet jo vetëm në Stadiumin “Elbasan Arena”, por edhe në fushën e Librazhdit dhe në Cërrik.