AlbanianSport.com 31/08/2021 17:55
ASNN – Shqipëri e Nën-21-vjeçarëve është duke zhvilluar përgatitje intensive për ndeshjen eliminatore ndaj Republikës Ҫeke, që do të luhet në fushë të huaj, më 6 shtator, duke nisur nga ora 18:00. Trajneri Alban Bushi, pasi ka parë t’i bashkohen skuadrës elementët e ftuar rishtas pas dëmtimeve dhe problemeve që u shfaqën, është duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë, për të qenë në formë maksimale përpara një vizite të vështirë.
Duke folur për faqen zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Erald Lakti dhe Marsel Ismajlgeci nuk e fshehin kënaqësinë e të qenit në Kombëtare dhe shprehen se objektivat e kësaj skuadre do të jenë maksimale. Marsel Ismajlgeci, mbrojtësi i majtë i Tiranës, është optimist për rrugëtimin e kësaj skuadre. “Gjithmonë është një nder dhe kënaqësi e veҫantë të ftohesh nga Kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve”, – ka thënë ai.
“Gjendja e skuadrës është shumë mirë momentalisht. Presim edhe 2-3 lojtarë të tjerë të na bashkohen dhe besoj se do të bëjmë një punë të mirë. Ne shpresojmë që këto eliminatore të arrijmë një sukses të madh duke kaluar në fazën finale të Kampionatit Evropian të kësaj grupmoshe”, – përfundoi mbrojtësi i majtë i Shpresave, Marsel Ismajlgeci.