AlbanianSport.com 31.08.2017 22:25
ASNN – Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve në futboll ka zhvilluar të enjten në mbrëmje ndeshjen e dytë në kuadër të grupit të dytë të Evropianit të kësaj grupmoshe, duke u mundur minimalisht në Irlandën e Veriut nga bashkëmoshatarët vendas. Ndeshja e ardhshme e Shpresave të Shqipërisë është ajo e 4 shtatorit 2017 në Islandë përballë Nën-21-vjeçarëve vendas.
Ka qenë e pafat përfaqësuesja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë në futboll, pasi skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi është mundur minimalisht në Irlandën e Veriut nga bashkëmoshatarëve vendas, të cilët kanë triumfuar falë një goli të shënuar në minutën e 5-të dhe të fundit shtesë të sfidës. Kjo ndeshje ishte e dyta për kuqezinjtë e vegjël, të cilët, në ndeshjen e parë, kishin marrë një barazim pa gola në shtëpi përballë Estonisë më 12 qershor 2017.
Në fakt, ka qenë një ndeshje e luftuar fort ajo e së enjtes në mbrëmje në Stadiumin “Murnvju Park” të Lurganit, pasi Shqipëria ka luajtur e disiplinuar taktikisht përballë irlandezo-veriorëve që kanë ushtruar presion të vazhdueshëm. Për rrjedhojë, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta ka patur të njëjtën tablo dhe është dukur se skuadra e Bushit do të largohej me një pikë mjaft të çmuar.
Por, nuk ka ndodhur kështu, sepse në minutën e fundit shtesë, nga 5 të tilla, futbollisti i Atletikos së Madridit, Kejdi Bare, ka shkaktuar një ndërhyrje të parregullt brenda zonës, duke u ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë dhe duke dalë nga loja me karton të kuq. Gjyqtari ka dhënë 11-metërsh në favor të vendasve.
Dhe, nga pika e bardhë, Donelli ruan gjakftohtësinë dhe përshëndet rrjetën e Selmanit, duke i siguruar fitoren skuadrës vendase. Ndeshja e ardhshme e Shpresave të Shqipërisë është ajo e 4 shtatorit 2017 në Islandë përballë Nën-21-vjeçarëve vendas.