AlbanianSport.com 05/10/2021 22:25
ASNN – Skuadra e Shpresave të Shqipërisë, e drejtuar nga Alban Bushi ka nisur grumbullimin që prej ditës së diel në Durrës, teksa po përgatiten intensivisht për ndeshjet eliminatore të vlefshme për “Euro 2023”. Fillimisht, kuqezinjtë do të luajnë kundër Andorrës, më 7 tetor, ndërsa më 11 tetor 2021 do të përballen me bashkëmoshatarët sllovenë.
Armando Dobra, sulmuesi shqiptar që sapo është transferuar tek ekipi i Kolçesterit në Angli, ku edhe ka arritur të shënojë së fundmi, u shpreh se kuqezinjtë do të luajnë për fitore në të dyja ndeshjet, pasi grupi është i mirë. Ai foli edhe për klubin e tij, që militon në nivelin e 4-t të Kampionatit Anglez të Futbollit, në Ligën 2, teksa tha se shpreson se do të shënojë sa më shumë.
“Synimi i skuadrës janë për të fituar të dyja ndeshjet ndaj Andorrës dhe Sllovenisë, – ka thënë ai. – Kemi një skuadër të mirë dhe të fortë. Do të luajmë kundër Andorrës fillimisht dhe do të luajmë fort, për të marrë 3 pikët dhe pastaj të fitojmë edhe me Slloveninë. Kemi luajtur edhe më parë me Andorrën, i kemi mundur 3-0, janë skuadër e fortë dhe të qetë, është ndeshje e vështirë.”
“Objektivat tonë janë të dalim në vend të parë ose në vendin e dytë dhe të kualifikohemi për në Evropian, – ka thënë sulmuesi kuqezi. – Humbjet ndodhin sepse nuk ka ekipe që nuk humbin, por ky është objektivi ynë, pasi kemi skuadër të mirë dhe mund t’ia dalim.” Në mbyllje ai ka folur edhe për klubin e tij të ri, Kolçesterin, aty ku synon të konfirmojë veten.
“Jam shumë i gëzuar pasi kam shënuar golin e parë me ekipin e ri, sepse kam shkuar aty që të shënoj gola dhe të tregoj se çfarë lojtari jam unë. E kam nisur mirë dhe shpresoj të bëj edhe më shumë gola me ekipin e ri”, – ka përfunduar futbollisti i Kombëtares shqiptare të Nën-21-vjeçarëve, Armando Dobra.