AlbanianSport.com 12/03/2024 20:15
ASNN – Trajneri i Shpresave kuqezi, Alban Bushi doli këtë të martë në një konferencë për mediat, në kuadër të dy ndeshjeve eliminatore të “EURO 2025”-s, atë ndaj Finlandës më 22 mars 2024, duke nisur nga ora 17:00, dhe atë ndaj Zvicrës, më 26 mars, duke nisur nga ora 17:00). Ai tha se ndeshja e parë ndaj Finlandës është sfida më e rëndësishme e këtij grupi sepse një fitore do të rriste premisat për t’u kualifikuar në finalet e Kampionatit Evropian.
“Të gjitha ndeshjet janë të vështira, – ka theksuar trajneri kuqezi. – Mendoj që Finlanda është ekipi që luan më bukur futboll, pavarësisht se ndodhet pas nesh. Për mua luan më mirë se Zvicra dhe Rumania. Kjo është ndeshja jonë e jetës, ndeshja jonë e ëndrrave, që ne të shkojmë në Europian. Duhet ta fitojmë patjetër këtë ndeshje. Ne e respektojmë shumë ekipin e Finlandës, është një ekip shumë i mirë. Por ne në tokën tonë jemi shumë të fortë. Toka jonë na jep energji pozitive.”
“Nuk diskutohet që do të japim maksimumin, do të sakrifikojmë shumë. Më vjen mirë që ndeshja do të luhet në Stadiumin “Arena Kombëtare”, mendoj që do të ketë shumë tifozë, është organizuar shumë mirë edhe nga FSHF. Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Nëse fitojmë këtë ndeshje, është një shans shumë i madh për të zënë vendin e dytë ose të parë në grup.” Më pasi, Bushi ka folur edhe për ndeshjen me Zvicrën.
“Jemi fokusuar më shumë te ndeshja e parë me Finlandën. Për Zvicrën do të flasim pas ndeshjes së parë. Është një ekip që të lë të luash futboll, mund të krijosh dhe të krijojnë raste. Do të jetë një ndeshje e hapur. Por i gjithë fokusi ynë është te Finlanda sepse duhet të marrim rezultat të mirë me Finlandën”, – ka këmbëngulur trajneri i Shpresave kuqezi, Alban Bushi.
Po a mund të krijojë një problem psikologjik te lojtarët ndeshjet me rivalët direkt? “Në listë nuk është se kemi ndryshuar shumë lojtarë, pasi është po e njëjta përbërje, por kemi patur dy humbje jo të mira për një ekip kombëtar, – është përgjigjur kreu i stolit të Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve kuqezi. Në Rumani ekipi u shpërbë, ndërsa në Finlandë luajtëm deri në fund por gjithsesi e kemi harruar humbjen.”
“Unë mendoj që në futboll, si në fitore dhe humbje, duhet harruar dita e nesërme. Kjo është gjëja më e mirë pasi futbolli do vazhdimësi dhe këtë e dinë të gjithë sportistët. Mendoj që ndonjëherë në Shqipëri lojtarët motivohen shumë, nga energjia, njerëzit, media etj, por duhet ta japim edhe jashtë maksimumin, pasi nëse nuk merr pikë jashtë është e vështirë të kualifikohesh, gjithsesi do përmirësohemi dhe mendoj që do ndryshojmë”, – ka përfunduar Bushi.