AlbanianSport.com 12/03/2024 18:25
ASNN – EURO 2025 për Nën-21-vjeçarët, trajneri Bushi fton 23 lojtarë për sfidat me Finlandën dhe Zvicrën: “Ndeshje vendimtare, por ne jemi të fortë në shtëpinë tonë”. Trajneri i Shpresave kuqezi, Alban Bushi doli këtë të martë në një konferencë për mediat, në kuadër të dy ndeshjeve eliminatore të “EURO 2025”-s, atë ndaj Finlandës më 22 mars 2024, duke nisur nga ora 17:00, dhe atë ndaj Zvicrës, më 26 mars, duke nisur nga ora 17:00). Trajneri i kuqezinjve Nën-21-vjeçarë komentoi listën e 23 lojtarëve të grumbulluar për këto dy sfida të rëndësishme, që do të luhen në Stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Alban Bushi u shpreh se ndeshja e parë ndaj Finlandës është sfida më e rëndësishme e këtij grupi sepse një fitore do të rriste premisat për t’u kualifikuar në finalet e kampionatit Europian. Trajneri Bushi tregoi se pse ka ftuar më shumë mbrojtës që luajnë në kampionatin shqiptar, ndërsa foli edhe për dy lojtarët e ftuar rishtaz në Kombëtare, Fetain dhe Jasharin, teksa komentoi edhe mungesën e Kristian Shpendit. Ndër të tjera, trajneri kuqezi kërkon edhe mbështetjen e tifozëve në “Arenën Kombëtare” për këto dy sfida. “Janë 10 lojtarë nga kampionati shqiptar, – ka thënë ai fillimisht. – Mbrojtësit po luajnë dhe na japin siguri sepse kemi pasur gjithmonë probleme në mbrojtje.”
“Lojtarët që ju përmendët luajnë vazhdimisht, – ka vijuar Bushi. – Mendoj që do të bëjnë mirë sepse kanë minuta në këmbë dhe eksperiencë. Kemi punuar shumë sidomos me repartin e mbrojtjes gjatë kësaj kohe që kemi qenë pushim, duke i dërguar video dhe duke parë kundërshtarin. Mendoj që do të jemi kompaktë në ndeshjen me Finlandën.” Më tej, trajneri ka folur edhe për emrat e rinj, Fetai dhe Jashari dhe si u bindën ata të përfaqësojnë Shpresat e Shqipërisë. “Nuk ka qenë e lehtë ardhja e tyre në kombëtaren shqiptare, sepse kanë pasur shumë kërkesa si nga Maqedonia e Veriut, po ashtu edhe nga Zvicra dhe Kroacia”, – ka pohuar Bushi.
“Dua t’i falënderoj të dy sepse janë dy lojtarë shumë të rinj që janë ditëlindja 2005 dhe janë edhe për dy sezone të tjera me ekipin e Shpresave, – ka vijuar ai. Fetai është një lojtar me shumë potencial, lojtar i rrallë për pozicionin ku luan dhe lëvizjet që bën në fushë. Mendoj që do të jetë lojtari kyç në mesin e fushës për të gjithë sezonin. Që kur e kam parë videon e parë, më la përshtypje shumë të mira, i ngjan shumë Modriçit edhe për lëvizjet që ai bën në fushë. Vrapon shumë në fushë, është shumë luftarak, sakrifikues dhe besoj se do të bëjë shumë mirë si për ekipin Shpresa, por do jetë një potencial i madh edhe për ekipin A. Të njëjtat fjalë mund të them edhe për Jasharin.”