AlbanianSport.com 24/03/2022 23:55
ASNN – Në konferencën për shtyp të së enjten, trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi, është pyetur nëse e cilëson të përmbushur nëse kuqezinjtë Nën-21-vjeçarë lënë poshtë, Andorrën, Kosovën dhe Slloveninë. “Unë mendoj që rezultat pozitiv quhet kur kualifikohesh, sepse u bë kaq vite që ne luajmë dhe për pak nuk jemi kualifikuar, pavarësisht se kanë qenë ekipe shumë të forta, – ka këmbëngulur ai. – Unë dëshiroj shumë të kualifikohemi. Kemi qenë shumë afër kualifikimit këtë vit, por duke parë që Kombëtarja e të rriturve merr shumë lojtarë te ne, kjo na ka penalizuar, për ta thënë shumë hapur, sepse ne kishim dy ndeshjet e fundit ku jemi mundur si në Slloveni dhe në Kosovë.”
“Nëse ne do të kishim Brojën dhe Kumbullën, ata janë lojtarë shumë vendimtarë dhe për ekipin e të rriturve, jo më për Nën-21-vjeçarët, – ka theksuar 48-vjeçari. – Ne do i kishim fituar dy ndeshjet dhe sot do të ishim me 15 pikë dhe Republika Çeke me 13, por objektivi madhor i Federatës Shqiptare të Futbollit ka qenë ekipi kombëtar i të rriturve. Do të vijë një ditë shumë shpejt, që pasi të mbushet ekipi i të rriturve, siç është mbushur me lojtarë të rinj, shpresojmë që sezonin tjetër të fokusohemi vetëm te lojtarët e mirë dhe ekipi i të riturve të mos na marrë më lojtarë, që edhe ne të kualifikohemi sepse është gjë e mirë për Shqipërinë. Është e mirë edhe për Federatën sepse sjell të ardhura.”
“Kështu që duhet fillimisht të marrim një vendim madhor që ekipin e Nën-21-vjeçarëve ta çojmë në Kampionatin Evropian, sepse i kemi të gjitha cilësitë, – sugjeruar ai. – Vetëm sot në ekipin Kombëtar janë Asllani dhe Bajrami, të cilët e kanë moshën jo për këtë sezon, por për sezonin tjetër për të luajtur me Nën-21-vjeçarët, por ata kanë ikur që tani në ekipin e parë. Kjo na bën të gëzuar e të lumutur, e thash dhe më parë, por gjithsesi ne shpresojmë që një vit ne të kualifikohemi me ekipin e Shpresave.” Bushi ka edhe një thirrje për tifozët shqiptarë, teksa i konsideron si një faktor mjaft të rëndëisishëm për ekipin shqiptar. “Janë bërë 3 sezone që drejtoj ekipin e Nën-21-vjeçarëve, – thotë ai. – Kudo që shkojmë jashtë ka tifozë.”
“Nuk janë shumë, 2,000-3,000 në çdo qytet dhe japin një ndihmë shumë të madhe, – ka vijuar Bushi. – Ne e kuptojmë shumë mire dhe e dimë shumë mire se sa i rëndësishëm është tifozi për ekipin Kombëtar shqiptar, sepse kam luajtur me ta, kam luajtur me tifozë dhe pa tifozë dhe e di shumë mirë se sa rëndësi ka për një ndeshje. Ata janë një faktor shumë i rëndësishëm. Kur ekipi i Nën-21-vjeçarëve humb, flasin të gjithë, edhe një tifoz flet, pse humbi, pse nuk humbi, por nuk është se jep ndihmën e tij. Unë shpresoj që ta japë ndihmën e vet. Ndihma e çdo tifozi është shumë e rëndësishme. Është lojtari i 12-të, të ndihmon shumë.”
“Unë e kam parë shumë herë kur kemi luajtur me tifozë, në Stadiumin ‘’Elbasan Arena’’, e kam parë shumë mirë se çfarë motivi i kanë dhënë ekipit dhe sa bukur ka luajtur ekipi kur ata kanë qenë aty. Shpresoj të jenë sa më shumë, do jenë një motiv shumë i madh për ekipin tonë”, – ka përfunduar trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi.