AlbanianSport.com 24/03/2022 21:40
ASNN – Barazimi nuk do ta kënaqte trajnerin Alban Bushi, i cili thekson se që nga ndeshja e fundit me Republikën Çeke, skuadra ka mësuar shumë dhe i ka marrë masat për t’u paraqitur në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Shqipëria e Nën-21-vjeçarëve do të zhvillojë ditën e premte ndeshjen e radhës në kuadër të Eliminatoreve të Kampionatit Evropian 2023, atë ndaj Republikës Çeke. “Nuk do isha i kënaqur, – ka këmbëngulur trajneri. – Pa dyshim që do jëtë një ndeshje e fortë, një ndeshje me emocion, e luftuar nga të dyja ekipet për ta fituar.”
“Ne jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje, – ka vijuar ai. – E vlerësojmë shumë ekipin çek, është një ekip që thuajse çdo sezon merr pjesë në Kampionatin për grupmoshën e Nën-21-vjeçarëve. Kemi luajtur më parë me ta në Republikën Çeke, na kanë mundur thellë, për gabime individuale, që tek unë i pari, te futbollisti i fundit. Sidoqoftë, kemi mësuar, jemi përmirësuar dhe shpresojmë t’i bëjmë yzmetin deri në fund, të luftojmë shumë, të sakrifikojmë shumë dhe me ndihmën e tifozëve, shpresoj se do të arrij një rezultat pozitiv.”
“Kam shumë besim tek ekipi, jam dhe shumë optimist, – ka theksuar 48-vjeçari. – I kemi marrë të gjitha masat, e di edhe se ku do ta sulmojmë kundërshtarin, ku i kanë difektet. E di edhe se ku nuk duhet të përballemi me ta, ku ata janë të fortë dhe shpresoj që të bëhet një ndeshje shumë e bukur nesër.” Sa i përket formacionit që do të hedhë nesër në fushë, trajneri Bushi shprehet se e ka menduar se cilët lojtarë do të aktivizojë, teksa thotë: “E kam menduar, kemi 5 ditë në grumbullim, nesër është ndeshja.”
“I kemi bërë të gjitha stërvitjet, sot do bëjmë vetëm ca reagime për të qenë në formë ditën e nesërme, – vijon ai. – Nuk mund të themi ekipi ideal sepse kemi mungesa shumë, si Bajrami dhe Asllani që ne i kishim programuar për këtë ndeshje, por janë tek ekipi A dhe i kanë prishur pak ekuilibrat. Por me lojtarët që kam, jam shumë i kënaqur nga ata dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë, e dinë se çfarë i pret, e dinë se si duhet të luftojnë, e dinë objektivin tonë që nëse ne fitojmë nesër me Republikën Çeke, i afrohemi një pikë atyre dhe kemi edhe 3 ndeshje të tjera.”
“Pavarësisht se dy janë me Anglinë dhe një është me Kosovën, por në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Jemi shumë të përgatitur për këtë ndeshje, shumë të motivuar. Jemi ekip modest, në rangun europian dhe botëror dhe duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar, jo vetëm Republikën Çeke dhe duhet të japim maksimumin. Duhet të kënaqemi kur luajmë, duhet të argëtojmë veten tonë, familjet tona, publikun tonë dhe të marrim rezultate pozitive, pavarësisht se objektivat madhore ia lëmë Republikës Çeke, Anglisë dhe ekipeve të tjera të forta”, – përfundoi Bushi.