AlbanianSport.com 08/10/2018 12:45
ASNN – Përtej një paraqitjeje të mirë në aspektin sportiv, sporti shqiptar ka bërë këto dy dhjetëvjeçarë e fundit hapa përpara sa i përket edhe aspektit organizativ dhe rasti më i fundit vjen nga sporti i shahut. Është pikërisht shahisti më i spikatur shqiptar në arenën ndërkombëtare të katrorëve bardhezi, Erald Dervishi, është emëruar Kreu Ekzekutiv i Federatës Evropiane të Shahut (ECU).
Mjeshtri i Madh Erald Dervishi, aktualisht Zëvendës-President i Federatës Shqiptare të Shahut (FSHSH), përveç kontributit te çmuar si lojtar aktiv, është angazhuar në drejtimin e shahut shqiptar dhe organizatave të tjera sportive. Përgjatë dy javëve të fundit, ai ishte tavolinë e parë e ekipit përfaqesues shqiptar në Olimpiadën Botërore të Shahut, të zhvilluar në Batumi të Gjeorgji.
Ai spikati me fitoret e arritura ndaj përfaqësuesit të ekipit përfaqësues të Hungarisë, Mjeshtrit të Madh Leko Peter, (sfidant i titullit “kampion bote” në 2004-ën dhe i renditur i 4-ti në botë në 2003-shin), në turin e dytë dhe atë ndaj Mjeshtrit tjetër të Madh, letonezit Igor Kovalenko, në turin e 11-të, ku zhvilloi një lojë të shkëlqyer. Erald Dervishi ka qenë anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në mandatin e kaluar.
Ai është edhe anëtar i Komisionit të Olimpiadave në Federatën Botërore të Shahut (FIDE), si dhe anëtar i Komisionit Elektoral në organizmin që qeveris shahun në planet. Emërimi i tij si Drejtor Ekzekutiv i Federates Evropiane të Shahut, është padyshim një arritje dhe vlerësim jo vetëm në aspektin personal, por edhe për shahun shqiptar në veçanti dhe sportin shqiptar në përgjithësi.