AlbanianSport.com 16/03/2019 16:55
ASNN – Duket sikur nuk ka ndryshuar asgjë nga sezoni i kaluar i Formula 1. Mercedes ka monopolizuar vijën e parë në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Australisë, garën e parë të Botërorit të saponisur. Ndërsa “Ferrari” ka treguar se nuk është i denjë për të rivalizuar me shigjetat e argjendta. Ljuis Hemilton ka firmosur nisjen për herë të 8-të në nga vendi i parë në “Albert Park”, me një kohë të jashtëzakonshme.
Piloti anglez ka dhënë kohën 1’20″486 duke thyer rekordin e vet të mëparshëm me 1’21″164, duke shkuar jashtë gjithë parashikimeve. Me këtë ka treguar se është më i shpejtë se më parë. Valteri Botas, me xhiron e tij të përkryer në provën e parë në seancën e 3-të, mendoi se e siguroi vendin e parë në nisje, por më pas iu desh të dorëzohej përpara talentit dhe klasit të Hemiltonit.
Në Melbërn, tifozët e “Ferrarit” nuk kanë parë atë makinë që kanë dashur. Sebastian Feteli nuk ka shkuar më shumë se vendi i tretë, ndërsa Sharl Lëklërku, i 5-ti. Nga ky moment i vështirë i dy makinave të kuqe, ka përfituar Maks Verstapen, që do të niset nga vendi i 4-t. Për Hemiltonin, kjo është nisja për herë të 84-t nga vendi i parë në karrierë.