AlbanianSport.com 28.09.2016 08:50
ASNN – Futbolli anglez është tronditur te martën në mbrëmje pasi trajneri i përfaqësueses, Sem Allardajs, është shkarkuar në mënyrë të papritur. 61-vjeçari ka rënë pre e një kamere të fshehtë, ku ai këshillon një gazetar të maskuar si biznesmen, sesi t’i anashkalojë rregullat sa i përket pronësisë së lojtarëve, si dhe pranon të bëhet pjesë e një marrëveshjeje me vlerë 400 mijë stërlinash angleze për rolin si këshilltar i një firme nga Lindja e Largët.
Vetëm 67 ditë dhe një ndeshje. Ky është bilanci i pazakontë i Sem Allardajsit në krye të përfaqësueses angleze, pasi 61-vjeçari është shkarkuar dje nga detyra për shkak të një episodi të çuditshëm. Ai ka rënë pre e një kamere të fshehtë, ku ai këshillon një gazetar të maskuar si biznesmen, sesi t’i anashkalojë rregullat sa i përket pronësisë së lojtarëve, si dhe pranon të bëhet pjesë e një marrëveshjeje me vlerë 400 mijë stërlinash angleze për rolin si këshilltar i një firme nga Lindja e Largët.
Për më tepër, ai shihet në pamjet e xhiruara nga gazetari i “Dejli Telegraf” teksa tallet me paraardhësin e tij në stolin e “3 Luanëve”, Roi Hoxhson, dhe ndihmësin e tij, Geri Nevill. Pas publikimit të këtyre pamjeve, Sem Allardajs ka zhvilluar një takim me drejtuesit presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, Greg Klark, dhe kreun ekzekutiv të saj, Martin Glen”, të cilëve u ka ofruar “ndjesën e tij të sinqertë për atë që kishte ndodhur.
Përtej gjithçkaje që ka ndodhur, Allardajs ka theksuar se kishte qenë një nder i madh për të që ishte emëruar në këtë detyrë dhe se ishte jashtëzakonisht i shqetësuar me pasojat e veprimeve të tij. Trajneri 61-vjeçar e drejtoi Anglinë në fitoren 1-0 që ajo arriti në ndeshjen e parë të Eliminatoreve të Botërorit 2018 ndaj Sllovakisë.